12 Shtator, 2018 - 2:26 pm
Artisti kontemporan shqiptar, Anri Sala, do ta prezantojë një instalacion akustik e skulpturor “The Last Resort” në muzeun “The Garage Museum”, në Moskë. Ekspozita është pjesë e Komisionit të gjashtë të atriumit të Muzeut.
Me “The Last Resort”, artisti u përgjigjet arkitekturës dhe akustikës së një atriumi prej 9.5 metrash: në të zhvillohet një vepër që përmban tridhjetë daulle baterish të kthyera mbrapshtë. Ato mund të gjenerojnë tinguj si përgjigje ndaj vibracioneve që burojnë nga altoparlantët brenda secilit instrument.
Një interpretim i ri i veprës “Clarinet Concerto” të Mozartit në A-dur, një prej veprave të fundit të kompozitorit, është thelbi i veprës së Salës, shkruan portali blouinartinfo.com, transmeton sot “Koha Ditore”. Qysh prej vitit 1789, ajo qe bërë krijim i rëndësishëm muzikor për Iluminizmin, që ishte periudhë kur kombet e Evropës ishin duke rimenduar konstruktet e politikës dhe të shkencës.
“Duke eksploruar kompleksitetin kulturor të asaj periudhe, Sala zëvendëson tempin origjinal prej veprës së Mozartit me instruksione të reja të bazuara në kushtet atmosferike të përshkruara nga marinari James Bell, gjatë periudhës së udhëtimit të tij detar nga Anglia në Australi. Asokohe, erërat e fuqishme dhe retë afektonin udhëtimin dhe shpeshherë e përcaktonin suksesin apo dështimin e tij. Duke futur në partiturë ngjarjet e përditshme të transformimit të motit, e transformojnë ‘Concerton’ e Mozartit për të reflektuar momentet e lëkundjeve, shkreptimave, erërave të fuqishme dhe stuhive”, shkruhet në njoftimin e “Garage Museum”.
“Kam pasur dëshirë të imagjinoj se çfarë do të mundë të bëhej vepra ‘Clarinet Concerto’ e Mozartit nëse do të duhej të notonte e zhytej si mesazh në shishe, derisa të përfundonte në breg pas një udhëtimi të gjatë”, ka shpjeguar Anri Sala. Ai e përshkruan veprën e tij “The Last Resort” si “kontradiktë ndërmjet pikës së nisjes së disa prej principeve më të rëndësishme të Iluminizmit – siç janë toleranca dhe pranimi pa gjykime i tjetrit – dhe pasojat e tyre pas mbërritjes, si përkeqësimi i paragjykimeve, që në kthim ka shkaktuar shkatërrim e humbje të pathëna”, shkruan koha.net.
Anri Sala, i lindur më 1974 në Tiranë, është artist që jeton në Berlin. Ekspozitat e tij solo e kanë dërguar në vende, si: “Museo Tamayo” (Mexico City, 2017), “New Museum” (New York, 2016), “Benesse Art Site Naoshima” (Teshima Island, 2016), “The Helena Rubinstein Pavilion for Contemporary Art”, “Tel Aviv Museum of Art” (Tel-Aviv, 2014), and Haus der Kunst (Münich, 2014). Ekspozita e tij në Moskë do të jetë e hapur nga 29 shtatori deri më 27 janar të vitit 2019, në “Garage Museum of Contemporary Art”.
Me “The Last Resort”, Sala debutoi në Australi vitin e kaluar. Vepra e realizuar për “33rd Kaldor Public Art Project” qe prezantuar prej 13 tetorit deri më 5 nëntor “Observatory Hill”, pika më e lartë natyrore në Sydney.