6 Shkurt, 2025 - 3:30 pm
ZETA Center for Contemporary Art në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës kanë sjellë për publikun ekspozitën “The Sun Also Sets”, të parën ekspozitë vetjake në Shqipëri, të piktores Anila Rubiku.
Rubiku reflekton mbi arrogancën e sundimtarëve që përpiqen të përjetësojnë trashëgimitë e tyre në hapësirat publike, vetëm për ta parë madhështinë e vet tek gërryhet me kalimin e kohës. Titulli i ekspozitës bazohet në faktin se edhe pse peizazhet ndryshojnë, dielli gjithmonë do të lindë dhe do të perëndojë mbi to.
Ekspozita sjell 60 vizatime të ndërlikuara, gravura dhe akuarele të Rubikut që dokumentojnë transformimin e peizazheve urbane dhe rurale të Shqipërisë, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës. Veprat e ekspozuara janë krijuar mes 2016-2018-ës dhe ekspozohen për herë të parë në Galerinë “Zeta”.
Nëpërmjet kërkimeve rigoroze arkivore, Rubiku rindërton historinë e vendeve ikonike si Sheshi “Skënderbej” dhe ai “Liria”, të modeluar sipas ndikimeve arkitekturore osmane, italiane dhe sovjetike. Këto vende mbajnë gjurmët e të shkuarës së Shqipërisë, duke pasqyruar çfarë është ruajtur dhe çfarë është fshirë.
Ekspozita përfshin gjithashtu edhe tri vepra nga “The Inner Door”, një seri prej afro 100 qëndisjesh të krijuara gjatë katër viteve të fundit. Këto vepra portretizojnë dyert abstrakte dhe të gjalla të ndërtesave milaneze që tërhoqën vëmendjen e Rubikut gjatë shëtitjeve të saj në këtë qytet. Në një proces bashkëpunimi, fotografitë e dyerve të artistes u përkthyen me përpikëri në qëndisje nga artizanet në Gurin e Zi, në veri të Shqipërisë.
Anila Rubiku është një artiste italo-shqiptare, e diplomuar pranë Akademisë së Arteve në Tiranë (1994) dhe Akademisë së Arteve të Bukura në Brera (2000). Aktualisht punon mes Milanos, Torontos dhe Durrësit./atsh/ KultPlus.com