Themelohet Çmimi i Arkitekturës “Karl Gega”

20 Nëntor, 2018 - 6:58 pm

Është themeluar Çmimi i Arkitekturës “Karl Gega”, që do të hap garën në muajt e parë të vitit 2019.

Ky çmim është themeluar nga Media Ndërtimi dhe është i karakterit ndërkombëtar, duke synuar që të bëj Kosovën në një të ardhme të afërt, vend ku arkitektët do të vijnë të marrin një çmim.

“Karl Gega”, sipas kryeredaktorit të Medias “Ndërtimi” Uran Haxha, synon të jetë një çmim profesional.

“Ky çmim synon të jetë prestigjioz dhe profesional, duke vazhduar atë që e bën gjithë bota, për ta bërë çmimin nga media, çmimin më të fuqishëm”, ka thënë ai. Sipas Haxhës, ideja e këtij çmimi ka ardhur nga pronari i medies, Valon Vataj që ka një traditë të gjatë në veprimtarinë e ndërtimit.

Ndërsa, mbështetësi i këtij çmimi dhe njeriu që do qëndrojë afër është arkitekti Përparim Rama. Ai në fjalën e tij ka thënë se kjo është një gjë shumë e qëlluar.

“Çmimi jep shumë mundësi, është shumë lëvizje pozitive, edhe për botë. Unë jam anëtar jurie në shumë gara dhe çka është ndryshe me këtë çmim, është se ka me qenë çmim monetar. Më pas pjesa tjetër shkon për bamirësi, për studentë të ri që të udhëtojnë dhe studiojnë arkitekturën”, tha Rama. Sipas tij, nëse ky çmim mbërrin nivel internacional, atëherë do të kemi edhe turizëm arkitektonik.

Për ndryshe ky çmim ka marrë emrin e arkitektit dhe inxhinierit të madh shqiptar Karl Gega. Ai është lindur më 1802, me prejardhje nga Shkodra, por i rritur në Itali.

Kulmi i karrierës së tij është arritur në të atëhershmen Mbretërinë Austro-Hungareze. Se sa ka qenë i madh ai, mund të kuptohet kur pas vdekjes më 1860, ai është varrosur pranë emrave ikonë si Mozzart, Bethoven dhe të tjerë.
Detajet e çmimit dhe procedurat do të publikohen në muajt në vazhdim. /KultPlus.com

Të ngjajshme