6 Nëntor, 2020 - 1:30 pm
Biblioteka Kombëtare në kuadrin e 100-vjetorit të krijimit të saj hapi në COD pranë ambienteve të Kryeministrisë një ekspozitë shumë të rrallë të pasurisë që disponon. Këto vepra janë një pjesë e trashëgimisë Kombëtare dhe jo vetëm e bibliotekës.
Mbi 80 për qind e këtyre materialeve shfaqen për herë të parë tek publiku, sepse janë thesare që datojnë që nga periudha e antikitetit Grek, Bizanti, Orienti, Venecia etj.
Janë rreth 800 libra dhe dorëshkrime që ekspozohen. Gjithashtu shumë materiale datojnë edhe nga periudha e viteve 1400 deri 1800 dhe klasifikohen si Antikuare pasi këto libra dhe vizatimet që janë kunabula, janë rezultat i një pune të bërë me dorë.
Të ekspozuara gjithashtu janë si materiale nga Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, historia që nga periudha e Skënderbeut etj. Është e pamundur të veçosh tituj në këtë ekspozitë pasi bëhet fjalë për një pasuri të jashtëzakonshme të materialeve edhe botërore që tashmë janë pjesë e pronës jo vetëm të bibliotekës kombëtare, por e të gjithë shqiptarëve.
Ekspozita nuk pritet që në një kohë të afërt të ketë një shfaqje të dytë, duke e kthyer në rast të rrallë për ta vizituar.
Për shkak të vëmendjes së madhe që ka marrë kjo ekspozitë, është vendosur të shtyhet edhe disa ditë më tepër, pra deri në datë 11 nëntor, që te ketë mundësi të vizitohet, përfshirë këtu edhe fundjavën.
Drejtuesit e ekspozitës shprehen se megjithëse janë marrë masat antiCovid, janë të vetëdijshëm që ekspozitën nuk do të mundet ta vizitojnë të gjithë të interesuarit. Ndaj, ekspozita do të xhirohet në formatin 3D që të mund të shihet edhe në faqen e COD.
Pirro Misha që është edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare e vlerëson shumë këtë ekspozitë. Ai shprehet se Biblioteka Kombëtare kërkon investime sepse mungojnë kushtet të cilat janë të rëndësishme për të ruajtur pasurinë që ky institucion disponon.
Ai vlerëson gjithashtu edhe punën e bërë nga ish-drejtuesit sepse falë tyre kemi një thesar të grumbulluar në 100 vite të Bibliotekës Kombëtare. /atsh/ KultPlus.com