19 Mars, 2019 - 2:30 pm
Pamjet janë të njohura. Familjet duke ikur, gjërat e pakta mbahen në kokë, fëmijët e frikësuar kapen për figurën e nënës… Këto janë skenat e luftës në Siri që i paraqet skulptori 54-vjeçar sirian, Nizar Ali Badr.
Kur konflikti sirian shpërtheu në vitin 2011, Nizari ka parë shtëpitë e shkatërruara, familjet e zhvendosura, fëmijët e vrarë. Ai nisi të rikrijojë këtë pamje në gurë.
“Nuk kisha aparat fotografik për të regjistruar punën time”, tha ai. “Sapo e mbaroja, e shihja për një kohë dhe pastaj e shkatërroja për të bërë një të re.”
Arti i tij i gurit u bë mënyrë e të shprehurit të emocioneve dhe shqetësimeve që e mbanin zgjuar gjatë natës, për t’i ndarë pastaj ato ndjenja me botën.
Nizari mbledh materialet e tij duke pastruar bregdetin për gurë të vegjël dhe guralecë, në ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme. Bregdeti në Latakia është pjesë e Jebel Aqras, i njohur edhe si Mali Zaphon, një mal gëlqeror në kufirin sirian-turk. Kur mbledh sa duhet, kthehet për të punuar.
Dikur ai i ngjiste gurët në letër, por ngjitësi tash është i shtrenjtë për të.
“U bëj fotografi veprave të mia. Kjo është mënyra e vetme për t’i ruajtur dhe për t’i parë njerëzit”, thotë Nizari i cili deri tash ka krijuar mijëra skena nga jeta e përditshme e Sirisë, por që nuk i shet sepse nuk dëshiron të jetojë nga to.
“Mbi të gjitha jam njeri. Konflikti më ka shkaktuar dhembje dhe shpesh nuk fle natën”, thotë ai. “Ngushëllimi i vetëm është puna që bëj të cilën nuk e shoh si burim të ardhurash. Unë dua të komunikoj emocionet njerëzore që njerëzit kudo në botë i ndajnë, si dashuria, shpresa dhe dhembja”.
Ai trajton shumë tema, por kryesorja është shpërngulja e sirianëve. Përmes artit dëshiron të shfaq sakrificën e njerëzve dhe rrezikun që marrin kur ikin nga lufta dhe persekutimit. Ndaj, shumë punime shfaqin familjet me fëmijë.
Shkrimtarja kanadeze Margriet Ruursë është frymëzuar nga puna e Nizarit, për çka disa imazhe i ka përfshirë në librin e saj bestseller për fëmijë, “Gurët e shtruar: Rrugëtimi i një familjeje refugjate”. Ky libër flet për Raman dhe familjen e saj, që detyrohet të ikën nga një fshat dikur paqësor. Rama dhe nëna e saj, babai, gjyshi dhe vëllai Sami, kërkojnë liri në Evropë. Dhe, ky rrëfim tregohet përmes gurëve të Nizarit.
Nizari tash së voni në garën e talenteve të botës arabe (Arab’s Got Talent) dhe puna e tij jo vetëm jurinë dhe publikun në skenë. /Telegrafi/