9 Dhjetor, 2018 - 8:00 pm
Me 90 vite mbi supe, Skënder Beqiri është shfaqur plot energji dhe emocion në ekspozitën fotografike “Tragjedia e Çamërisë flet”, të çelur në Galerinë e Artit Figurativ të qytetit të Durrësit.
Pjesën më të madhe të jetës së tij, Beqiri e vuri në shërbim të çështjes çame, duke fotografuar e mbledhur foto që dëshmojnë momente shumë të rëndësishme mbi historinë e krahinës, që ende lëngon copëzimin dhe kërkon drejtësi, por edhe të ruajtjes së traditave çame brez pas brezi.
“Fotot i kam të mbledhura, por edhe të fotografuara vet. Duke ikur e duke fotografuar. I kam fotografuar familjet duke ikur nga Çamëria me plaçka në krahë. U futën në Konispol, Delvinë, Sarandë e Vlorë”, thotë Beqiri, autor i ekspozitës, raporton Tch.
Skënder Beqiri, i njohur edhe si themelues i Ansamblit “Çamëria”, përlotet teksa kujton fjalët e Ismail Qemalit për Çamërinë dhe mosangazhimin e qeverive shqiptare për zgjidhjen e çështjes çame.
“Çameria ka që nga viti 1913 që kërkon drejtësi. Të gjitha qeveritë që kanë ardhur, nuk e kanë kryer detyrën e tyre ndaj Çamërisë. Kosova fitoi se ishte e madhe”, thotë ai.
Në 7 stenda të ekspozitës, autori është përpjekur të hedhë dritë përmes faksimileve, dokumente mbi mbështetjen që autoritetet greke i dhanë nazifashistëve, ndryshe nga akuzat e ngritura ndaj popullsisë çame për bashkëpunim me ta.
Pas Durrësit, ekspozita do të çelet edhe në Tiranë, për të vijuar më pas rrugëtimin mbi historinë në foto të tragjedisë çame drejt Fierit e Elbasanit.