Tre hangarë shtesë në ITP Prizren bëhen pjesë e Autostrada Biennale 5
8 Prill, 2025 - 6:45 pm
Autostrada Biennale ka zgjeruar bashkëpunimin me ITP Prizren, të konfirmuar zyrtarisht përmes një ceremonie nënshkrimi ndërmjet Drejtorit dhe Bashkëthemeluesit të Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu dhe Drejtorit të ITP-së, Muhamed Rexhepi.
Në kuadër të këtij partneriteti të zgjeruar, tre hangarë shtesë në ITP Prizren do të shndërrohen në hapësira ekspozuese për edicionin e 5-të të Autostrada Biennale.
Ky bashkëpunim i qëndrueshëm, i bazuar në angazhimin e përbashkët për rigjallërimin e hapësirave dhe nxitjen e dialogut artistik, synon të vazhdojë të riformësojë peizazhin kulturor të rajonit. Gjatë tre muajve të edicionit të ardhshëm, këta hangarë do të funksionojnë si hapësira ekspozuese për artin bashkëkohor, me përfshirje aktive të komunitetit dhe shkëmbim kulturor e krijues.
Kuruar nga Erzen Shkololli, ky edicion i titulluar “Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” do të mbahet nga data 5 korrik deri më 5 tetor 2025.
Rreth Autostrada Biennale & Autostrada Hangar
Vitin e kaluar, Autostrada Biennale festoi 10 vjetorin e saj. Autostrada Biennale si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, i themeluar në vitin 2014, funksionon në dy shpejtësi
Autostrada Biennale – Ekspozita ndërkombëtare e artit bashkëkohor, e cila mbahet çdo dy vite, duke filluar nga viti 2017. Edicioni i ardhshëm do të nisë më 5 korrik 2025.
Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor, që përfshin hapësira për edukim, prodhim, ekspozita dhe rezidencë për artistë, e vendosur në ish-bazën ushtarake, tani Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP).
Qendra për Art Bashkëkohor përfshin dy hangarë, rezidencën për artistë dhe teatrin e hapur. Këto hapësira ofrojnë programe të ndryshme, të krijuara nga Autostrada Biennale. Hangarët I dhe II janë të hapura për publik me aktivitete të ndryshme, si ekspozita të vazhdueshme, kuzhinën vegjetariane, studion për prodhimin e veprave artistike, depon profesionale për vepra të artit, bibliotekën, barin dhe hapësirën multifunksionale për organizimin e ngjarjeve të ndryshme.
Edicioni i katërt i Autostrada Biennale (2023), i kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, u përzgjodh nga revista prestigjioze britanike “Frieze Magazine” si një ndër 10 ekspozitat më të mira në Evropë për vitin 2023. Në këtë edicion u prezantua një seri veprash të reja artistike, të prodhuara nga ekipi ynë në Autostrada Hangar in ITP, duke e pozicionuar Kosovën në hartën ndërkombëtare të ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë. Ky sukses pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit kulturor dhe hapi një perspektivë të re kulturore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Rreth ITP Prizren
Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) Prizren është një hapësirë unike në rajon që ka krijuar ambient bashkëpunues brenda një komuniteti dinamik. ITP është një qendër rajonale për ndërmarrësi, inovacion, zhvillim biznesi, industri kreative dhe zhvillim të aftësive – një burim idesh që ndikojnë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
ITP Prizren ndërton lidhje të forta mes partnerëve të ekosistemit duke krijuar një mjedis që nxit bashkëpunimin mes sektorit privat, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit kreativ e kulturor. Duke përfshirë artin, dizajnin dhe shprehjen kulturore si pjesë të ekosistemit të tij, ITP mbështet një qasje më gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese për zhvillimin e inovacionit.
Duke sjellë së bashku këta sektorë, ITP Prizren ofron një qasje të re për të zhvilluar inovacion – përmes bashkëpunimit, vlerave të përbashkëta dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të qëndrueshëm./ KultPlus.com