6 Prill, 2019 - 2:25 pm
Në një ambient të vogël ku muret flisni gjithçka përmes fotografisë, u shpalos ekspozita me titull “Poetika e hapësirës” nga tri gra arkitekte të cilat përmes ekspozites sollën një copëz Europe edhe në Kosovë.
Ekspozita nga Eliza Hoxha, Zana Sokoli dhe Arta Bytyqi ka rrjedhur në mënyrë spontane ndërsa fotografia ka qenë ajo që i ka bashkuar në një ekspozitë.
“Ka qenë e rastësishme qysh ne të tria edhe pse u përkasim moshave të ndryshme nga njëra-tjetra pasi që ato edhe kanë qenë studente të mija, si pozicion profesional dhe si eksperiencë profesionale, por që në fakt fotografia na ka bashku jo si profesion por si mundësi reflektimi edhe shënjimi i momenteve të caktuara të arkitekturës që ne kemi qenë ose objekteve që na kanë pëlqyer ose atyre që na kanë inspiruar edhe gjatë studimeve dhe kur kemi arritur t’i shohim ka qenë inspirim i dyfishtë”, ka thënë Eliza Hoxha për KultPlus.
Sipas Hoxhas ideja kryesore ka qenë me i sjellë disa copëza Kosove dhe disa copëza Europe brenda një konteksti, duke e ditur izolimin e Kosovës dhe mungesën e lëvizjes së lirë në Evropë.
“Ideja kryesore ka qenë me i sjellë disa copëza Kosove dhe disa copëza Europe brenda një konteksti çfarë është Qendra Kulturore Evropiane, ashtu sic u tha edhe më herët nëse ne nuk kemi mundur me lëvizë shpesh jashtë por që ne kemi lëvizur për arsye shkolle, për ata që s’kanë mundur me lëvizë është një Evropë e vogël”, është shprehur Hoxha.
Zhvillimi i kreativitetit të arkitekturës konsiderohet i kufizuar pa kaluar kufijtë. Për arkitekten Zana Sokoli, shpesh pengesë për këtë kanë qenë vizat ndërsa ajo konsideron se njeriu nuk është mjaftueshëm i edukuar nëse nuk udhëton.
”Për shumicën e këtyre fotografive me i ba na janë dashtë vizat, është e rëndësishme sepse unë mendoj që njeriu nuk është mjaftueshëm i edukuar nëse nuk udhëton edhe është pak fatkeqësi kur e përmendi këta tu e dite për kufizimin në lëvizje që e kemi, jo që po du me e minimizu roli e profesioneve të tjera por realisht për artistët është jetike me pa që më e zhvillu kreativitetin se çka në bëjmë është krejt prapavi e asaj që shohim dëgjojmë edhe pastaj kështu kultivohet edhe shija edhe kreativiteti e kështu me radhë” është shprehur Sokoli.
E veçanta e kësaj ekspozitë është se ngërthen në veti fotografi që janë bërë jo për qëllim të kësaj ekspozite, por që këto fotografi janë bërë ndër vite nga në eksperiencat personale të artisteve.
Sipas artistes Zana Sokoli, fotografia ka fillu me u komercializu pasi që është rritur përdorimi i mediave sociale dhe ekspozimi i madh i fotografive at ka bërë që njerëzit të mos ndalen dhe të fokusohen tek kualiteti dhe mesazhi i fotografisë. Kështu njerëzit jonë shmangur prej idesë kryesore të fotografisë që ajo të përcjellë një mesazh e që shprehet në pamje e jo fjalë.
“Është një emocion i veçantë i atij momenti që është kapur, nëse shikon objekti është i njëjtë në vendin e njëjtë por nuk e bënë një foto të dytë të njëjtë për arsye se ke qenë me emocion të caktuar momentin kur ke shiku dhe për këtë mendoj që fotografia është e veçantë sepse shënon momente që janë të papërsëritshme për njeriun”, ka thënë Sokoli.
Duke e përodur këtë hapësirë si një mundësi për të shprehur ndjenjat e tyre përmes artit pamor sic është fotografia, artistët kanë vendosur që ekspozitën ta titullojnë “Poetika e Hapsirës”.
“Për neve si arkitekte, hapësira flet që do të thotë se n jemi mësuar se kur don me rregullu një dhomë ti e sheh hapësirën ama vetëm e matë me distancë sa është e madhe që me ditë çfarë kuzhine me ble edhe qysh me vendosë, përtej kësaj hapësira ka edhe një rëndësi tjetër sepse ndikon se si na ndihemi brenda asaj hapësire”, ka thënë tutje Sokoli për KultPlus.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri më 25 prill në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë./ Xh. Uka/ KultPlus.com