26 Korrik, 2019 - 10:31 pm
Një mesazh i fortë ambientalist erdhi në Venecia nga artisti shqiptar Helidon Xhixha dhe Giacomo Jack Braglia.
“Twin Bottles” titullohet vepra e dy artistëve, e cila prezanton dy skulptura të mëdha metalike, vendosur në Canal Grande, përpara Palazzo Ca’ Vendramin Calergi. Janë dy shishe të mëdha që pluskojnë mbi ujë, si një sensibilizim mbi ndotjen e deteve. “Pas 15 vjetësh rrezikojmë të kemi më shumë shishe plastike në det, se peshq”, thonë ata.
“Bashkohemi me këtë “mesazh në shishe” të dy artistëve, që kanë ditur ta shfrytëzojnë artin dhe kreativitetin në dobi të ambientit dhe gjithë njerëzimit”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke përshëndetur suksesin e artistëve.
Ky nuk është angazhimi i parë me karakter ambientalist i Helidon Xhixhës. Në vitin 2015, po në Venecia ai realizoi veprën “Iceberg”, duke denoncuar shkrirjen e akujve për shkak të grohjes globale./Ata.gov.al