3 Dhjetor, 2017 - 10:19 am
Në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, mbrëmë u hap ekspozita personale, e katërmbëdhjeta me radhë, e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Bashkim Mexhiti. Në këtë ekspozitë Mexhiti u prezantua me rreth 30 piktura në teknikën akril, të realizuar kryesisht në dy vitet e fundit dhe i përkasin ciklit të titulluar “Dimensione kohore”.
“Në botën artistike të Bashkimit lindin tinguj ku vjen në shprehje shenjtërimi i gjuhës dhe shkrimit të lashtë si dhe kompozicione të imagjinuara me sensacione të ngjyrës dhe sfondit ku ajo hidhet . Tërë ai narracion pamor vjen në shprehje nëpërmjet një ekspresiviteti dhe potezi gestual të fuqishëm artistik. Tradicionalja dhe universalja janë dy koncepte thelbësore që vërehen në opusin e tij, koncepte këto që në mënyrë mjeshtërore harmonizohen si në aspektin figurativ poashtu edhe në atë koloristik. Piktura e tij në shikim të parë duket si e pakontrolluar, ngjyrat si të hedhura, mirëpo prapavija është përplot me simbole dhe metafora të harmonisë dhe disharmonisë. Në një pjesë të madhe ngjyrat janë të konceptuara brenda një rrethi të imagjinuar, që e tregon në një mënyrë rrotullimin e qenësisë, ardhjen dhe vajtjen e të qenit dhe ontologjinë ekzistenciale”, tha profesoresha e historisë së artit Jelldëz Asani, në hapjen solemne para artdashësve të shumtë në Galerinë Imperial 1 të Qendrës Kulturore Informative në Shkup.
Dekani i Fakultetit të Arteve pranë Universitetit të Tetovës, Miftar Memeti, në fjalimin e tij përshëndetës, tha se nuk do të flasë për veprat e Bashkim Mexhitit, por për atë si personazh tejet i përkushtuar në çdo punë që e bën dhe për modestinë e tij.
“Bashkimin e njoh që nga vitet e tetëdhjeta, kur ishte shumë i ri. Ai gjithmonë ka qenë tejet i përkushtuar në punë dhe pjesëmarrës në shumë procese. Por, nga modestia ai gjithmonë qëndron një hap prapa të gjithëve, edhe pse kontribuon shumë. Bashkimi është jo vetëm një piktor i shkëlqyer, por edhe skulptor, vizatues dhe grafist i spikatur. Ai arrin që prej një realisti të përpiktë, të transformohet në një omodernist ekspresionist”, theksoi ndër të tjera dekani Memeti.
Në parathënien e katalogut, profesori Mixhait Pollozhani thekson se Bashkim Mexhit me takt të gërshetuar përvojat e enformelit, ekspresionizmit abstrakt dhe abstraksionit lirik, dhe duke ofruar një variant të kombinuar abstrakt i cili mban vulën ekzistenciale dhe artistike të kohës (post)moderne, ka arritur specifikat etnike dhe kulturore të proveniencës së tij.
Piktori Bashkim Mexhiti, në këtë ekspozitë aplikoi një formë të re të komunikimit me konsumuesit e artit. Në hyrje të galerisë vendosi një tabelë me përshkrim të motivit të veprave të ekspozuara.
“Motivi etimologjik i veprave pasqyron rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, qëndresat shumëshekullore të periudhave të ndryshme, hyjnizimin e gjuhës, shkrimin e lashtë, si dhe lavdinë e të parëve tanë. Të gjitha këto motive të lartpërmendura, shtresohen në piktura abstrakte ekspresioniste dhe me shumë simbolikë. Elementet dhe parimet figurative, si dhe vetë procesi i veprimit në pikturë janë nën ombrellën e semiotikës dhe flasin me gjuhën e simbolikës që përfundojnë në kompozicione të dimensionit shpirtëror, duke shprehur lirikën e dhimbjes, shpresës dhe dashurisë“, ka shpjeguar Mexhiti.
Ndryshe, Bashkim Mexhiti që nga viti 1994 punon në Fakultetin e Arteve Figurative pranë Universitetit të Tetovës, ku prej vitit 2013 mban thirrjen Inordinar në lëndën Akti i mbrëmjes.
Krahas 13 ekspozitave personale të realizuara deri më tani, ai ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.
Ndonëse i specializuar në pikturë, Mexhiti ka realizuar edhe shumë skulptura, ndër të cilat shquhen shtatoret e Xhemë Hasës, Haqif Krosit dhe Komandant Tigrit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 9 dhjetor./ KultPlus.com