12 Dhjetor, 2019 - 1:20 pm
E bartur nga brezi në brez dhe e mbrojtur nga koha dhe teknologjia moderne, trashëgimia e gjallë kulturore është një faktor kyç i diversitetit kulturor, shkruan KultPlus.
Përmes gjuhës dhe traditës gojore shprehen artet performuese, praktikat shoqërore, ritualet dhe festat, krijueshmëria, dija, aftësitë dhe shpirti i popullit nga i cili rrjedhin. Duke ushqyer dhe bartur këtë “trashëgimi të gjallë kulturore” ruhen kultura, historia dhe tradita, të cilat si rrjedhojë nxisin ndjenjën e identitetit dhe vazhdimësisë brenda një grupi njerëzish.
Sot në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita artistike “Trashëgimia kulturore e gjallë e Kosovës: Festimi i trashëgimisë së paprekshme”.
Për të kuptuar dhe paraqitur më mirë këtë fushë kulturore, por edhe për të rritur vetëdijen shoqërore për vlerën dhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përkrahur financiarisht projektin “Trashëgimia Kulturore Boshnjake” të implementuar nga Seila Redzepagic.
“Përmes manifestimeve, zejeve të vjetra, ritualeve dhe artit kjo trashëgimi ruhet sot e kësaj dite në Kosovë, megjithëse në masë të vogël. Promovimi dhe prezantimi i pamjaftueshëm, kushtet e dobëta të punës si dhe interesimi i ulët i njerëzve e kanë shtyrë trashëgiminë kulturore jomateriale kohëve të fundit në margjinat e shoqërisë”, është shprehur Seila Redzepagic për KultPlus.
Në ekspozitë ishin të vendosura edhe pikturat e artisteve Binela Karadolami dhe Aida Redzepagic.
Të gjitha punimet e ekspozuara gjithashtu ishin në shitje për vizitoret që duan të kenë diçka nga kjo ekspozitë.
Projekti përfshiu gjithashtu një workshop të titulluar “Fija që na bashkon”, i cili bëri bashkë 12 vajza të reja nga komunitete të ndryshme të Kosovës, të cilat nën udhëheqjen e dy mësueseve, arritën të mësojnë bazat e qëndisjes, thurjes me grep dhe thurjes me dorë, si dhe riciklimin e materialeve të punuara me dorë për përdorim në të ardhmen.
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit “Trashëgimia Kulturore Boshnjake” i cili është një grant individual nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe zbatohet nga Šeila Redžepagić.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në orën 16:00. / KultPlus.com