20 Maj, 2022 - 11:26 am
Nga Luan Rama
Nga ekspozita e fundit “Udhëtimi onirik” në Bruksel muajin e kaluar, Dastid Miluka na fton tashmë në Paris, në “Maison d’Albanie”, në një udhëtim të ri, në atë të “Dëshirës”, “Le Désir”.
Tani nuk kemi para nesh ëndrrën e supozuar si në Bruksel por realen e prekshme, ajo reale që ngacmon shqisat dhe shpirtin e të bën njëherësh të ndjesh dëshirën. Që në librin e tij të famshëm “Banketi”, Platoni pohonte se “dëshira të nxit aty ku ajo të mungon; Thomas Hobbes pohonte se “dëshira është në thelb në burim të motiveve të çdo veprimi njerëzor”. Dhe ja tek jemi përpara këtyre vizatimeve plot ngjyra që na fusin njëherësh në botën e dëshirës. Janë vizatime dhe akuarele, krijuar më së shumti gjatë kohës së kovidit, ku në atmosferën e rëndë, artisti ka gjetur prehjen e tij drejt dëshirës, rikrijimit të imazhit të gruas, gruas universale, herë-herë lozonjare, ku pulson jeta që në kohën antike, jo vetëm atë çka kemi parë në veprat e Praksitelit apo piktori Eufronios por dhe në terrakotat e kuqe apo të zeza të mjeshtrave anonimë me linjat e amazonave apo femrave të adhuruara.
Që nga epoka e Renesancës, artistët e kuptuan se një dimension i jashtëzakonshëm piktural ishte dëshira, që e ndrydhur, më pas ajo do të shprehej me tablotë plot dritë të Botiçelit, Rafaelos, etj., duke na shfaqur trupin njerëzor në perfeksionin dhe drithmën e saj. Dhe që atëherë shprehja e kësaj ndjesie humane gjeti shprehjet e veta pikturale, çka e gjejmë dhe në këto vizatime ku objekt është dëshira, çka është e pandashme nga jeta jonë. Çdo të ishte jeta pa dëshirë, do të thonim ndërkohë që jemi të rrethuar nga këto vizatime ku primon e bukura, elokuenca e figurës, ngjyrat që ngjizen mes tyre, dhe ato në dëshirë. Gjashtë tablo të mëdha prijnë në këtë ekspozitë, gjashtë figura të një feste pranverore që të kujtojnë vajzat e antikitetit që nxitonin në ditën e hyjnisë Afërdita për tu mbledhur në tempullin e saj, në festën e madhe për t’iu dhënë dashurisë. Shohim këto vizatime plot hire dhe vetvetiu na vjen muzika e Stravinskit “Kurorëzimi i Pranverës”. Gjithçka është e lehtë, ajrore, frymëzuese dhe delikate, ku me to bashkohen vizatimet në bardh e zi, ato portrete femrash e trupash të kolmë të « origjinës së botës » çka na ngasin në një tjetër dëshirë…
Lapsi i tij udhëton mbi trupa femërore nëpër torse, gjinj, kofshë, vithe ku një nudo adhuron një lule, shihet në pasqyrë, ndërsa një tjetër na kundron paqësisht, portrete në interiore, ulur në divane, një nudo me një nargjile çka na evokon Matisse-in kur shkonte në kasbahun e Algjerit për të vizatuar këto krijesa në “shtëpitë e gëzimit”. Portrete ovale të Milukës ku dhe pse ne B/Z ka mbi ball dhe një njollë të kuqe, blu apo violet, që e bëjnë portretin akoma më origjinal dhe shprehës.
Duke folur për dëshirën, në një shënim të tij kritik Baudelaire shkruante dikur: « Është i lumtur artisti që zien brenda tij nga dëshira!… Ka gra që të ngasin dëshirën për ti bërë për vete dhe të lumturohesh nga ato, por kjo në fakt të jep dëshirën të vdesësh ngadalë nën vështrimin e tyre… » Dhe unë thjesht mund të shtoj : Dastid Miluka ka dëshirën për të zbuluar hiret e botës femërore… dhe ne kemi dëshirën të prehemi ëmbëlsisht para figurave të tij! / Gazeta Shqiptare / KultPlus.com