3 Tetor, 2019 - 3:00 pm
Gërshetimi i ngjyrave, në disa vepra me puls dhe nerv të ndjeshëm, në disa me njolla tonalitetesh të shtrira me kujdes, shprehte një alkimi të vërtetë ngjyrash, një marrëdhënie të ngushtë, intime mes artistes dhe natyrës
Nga: Senat Ferati
Këto ditë në Galerinë e Arteve Pamore në Tetovë është hapur ekspozita e artistes Akime Nasufi Rexhepi, e cila ekspozitë vizitorëve u mundësonte një udhëtim të këndshëm jo vetëm nëpër galeri, por më tepër nëpër pikturat e ekspozuara atu në formate të ndryshme. Vëzhgimi i pikturave ofronte një ndjesi qetësie shpirtërore, një qetësi kozmike, pa zhurmat e përditshmërisë ekzistenciale. Karakteristika dominuese që i përshkonte pikturat ishte se nuk kishte objekte njerëzore, as figura gjeometrike, por kryesisht dominonin segmente të caktuara të natyrës. Përfitohej përshtypja sikur autorja ka qëndrim negativ ndaj teknikës e teknologjisë (shtëpitë, ndërtesat, objektet njerëzore), pa të cilën njeriu bashkëkohor nuk mund të akceptohet. Vështruar nga ky aspekt, vetëm dy piktura ishin të paraqitura me rrethe, si figura gjeometrike, por edhe këto më shumë mund të asoconin planetin, ku ekziston natyra, se sa figurën teknike si të tillë. Edhe pse kishte edhe piktura të stilit ekspresionist, gjithsesi se krijuesja e këtyre veprave ishte e pasionuar më tepër nga natyra; natyra ishte shtëpia dhe foltorja e saj, qendra e botës së saj.
Arti, si magji e llojit të vet, ka shumë hapësira të pakufishme për të shprehurit e mendimeve, bindjeve, emocioneve, ëndrrave e dëshirave, tundimeve e anktheve. Pikërisht këto hapësira i mundësojnë krijuesit të shikojë përtej normales, të dukshmes, të thjeshtës. Ato i mundësojnë kontaktin me të padukshmen, mistikën, harmoninë e natyrës, të ekzistencës. Vegimet shpirtërore e detyrojnë krijuesin të “flasë”për përjetimet e tija qoftë me fjalë, me tinguj apo me ngjyra. Harmonia e ngjyrave në piktura, kontrastet, hijet, vijat e ndriçimet krijonin vibracione te shumë punime të cilat mund të perceptoheshin vetëm kur ndodhesh përball tyre, vetëm kur zhytesh në vështrimin e thellë të tyre, e të cilat janë të padukshme nëse pikturën e shikon në katalog, në foto apo gjetiu. Në pjesën më të madhe të sipërfaqes së shumë pikturave nuk shfaqej natyra e thjeshtë si e tillë, por realiteti i padukshëm brenda saj, pakohësia e saj, magjia të cilën e reflekton natyra kur e sodisim atë me sytë e krijuesit të veprës artistike. Kësisoj, leximi mes rreshtash i një vepre letrare reflektohet ndryshe në pikturën artistike.
Gërshetimi i ngjyrave, në disa vepra me puls dhe nerv të ndjeshëm, në disa me njolla tonalitetesh të shtrira me kujdes, shprehte një alkimi të vërtetë ngjyrash, një marrëdhënie të ngushtë, intime mes artistes dhe natyrës. Spikatet kështu një stil i posaçëm i manipulimit me ngjyrat nëpërmjet të cilave shprehen jo vetëm emocionet gjatë së ekzistuarit, por edhe qëndrimet për jetën dhe ekzistencën në këtë botë. Në këtë aspekt, mbi bazën e këtyre vlerave artistike e stilistike, autorja ka arritur të dëshmojë individualitetin e saj artistik si piktore me krijimtarinë e deritanishme artistike. /KultPlus.com