“Udhëtimi frymëzues i Minatorëve”, një prezantim unik i mineraleve dhe kristaleve të Trepçës

14 Shkurt, 2023 - 2:37 pm

 

Ekspozita “Udhëtimi frymëzues i Minatorëve” është një shembull i qartë i rëndësisë së jashtëzakonshme dhe unike të pasurive nëntokësore të Kosovës, ku përmes një koleksioni tejet të veꞔantë të mineraleve dhe kristaleve të prezantuara sot në një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, tentohet të arrihet vetëdijesimi dhe të ngritët krenaria për resurset natyrore të Trepꞔës, shkruan KultPlus.

Ajo që e bënte edhe më sublime këtë ekspozitë është pikërisht fakti që muaji shkurt njihet si muaji i minatorëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin politik dhe kulturor të shtetformimit të Republikës së Kosovës.

Minatorët e Trepꞔës me punën dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme kanë kontribuar në ndërtimin e një identiteti heroik, të fort dhe të qëndrueshëm, andaj, ekspozita synon të ndihmojë publikun edhe në njohjen dhe vlerësimin e kontributit të pashoq të minatorëve.

Autori i ekspozitës Driton Avdiu – historian, në një prononcim për KultPlus tregoi se si erdhi deri te ideja dhe cili është mesazhi që dëshiron të përcjellë.

Avdiu tha se pas vizitës së bërë në Muzeun Shtetëror të Kristaleve dhe Mineraleve në Mitrovicë, u frymëzua që për hir të muajit të minatorëve, pra muajit shkurt, të bëjë hapjen e një ekspozite për të treguar rëndësinë dhe krenarinë kombëtare të këtij muzeu.

Duke qenë se Muzeu Kombëtar i Kosovës ka për detyrë të mbajë gjallë traditat dhe historinë e vendit, atëherë në bashkëpunim me Shaqip Blakqorin, konsideruan të arsyeshme që hapja e ekspozitës të bëhet pikërisht disa ditë para pesëmbëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Për mua është nder që jam autor i një ekspozite të tillë, ku përmes saj synoj që jo vetëm Kosovës, por edhe botës t’i bëhen të ditura pasuritë e veçanta nëntokësore që gjenden në Stantërg të Mitrovicës”, u shpreh Avdiu.

Në këtë ekspozitë do të keni rastin të shihni nga afër një koleksion unik të mineraleve dhe kristaleve të përzgjedhura me kujdes nga Shaip Blakqori – Kustos.

KultPlus më poshtë ju sjell edhe disa foto nga ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë që nga dita e sotme. / KultPlus.com

Të ngjajshme