21 Prill, 2018 - 12:36 pm
Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën e tij “Retrospektivë” në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: “Kompozicioni” – 1951, “Muzikanët” – 1961, “Lufta për pushtet” – 1972, “Lufta për paqe” – 1995, “Shqipëria fantastike” – 1997, etj.
Piktori i njohur shqiptar me famë botërore, Ibrahim Kodra është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, me 7 shkurt 2006, në shtëpinë e tij në Milano të Italisë. Kodra kishte disa vjet që ishte i sëmurë dhe mjekohej, ndërkohë që muajt e fundit ka qenë i shtruar edhe në spital. Ibrahim Kodra ka lindur në vitin 1918 në Ishëm të Durrësit. Ai edukohet në oborrin e Mbretit Zogu I, duke u bërë edhe një kampion sportiv kombëtar. Në 1938 shkon në Itali me një bursë studimi në Akademinë e Breras në Milano. Prej asaj kohe ai ka qëndruar në Itali, duke u kthyer në një ikonë të pikturës bashkëkohore italiane dhe më gjerë. Veprat e Kodrës gjenden në Vatikan, në muzetë dhe koleksionet private në Itali, Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Danimarkë, Francë, Britani e Madhe, Japoni, Rusi, Shtetet e Bashkuara, Greqi, Australi etj. Vizita e tij e fundit në Shqipëri ka qenë në korrik 2003, kohë kur realizoi ëndrrën e tij për të vizituar vendlindjen, si dhe hapi ekspozitën “Retrospektivë” në Galerinë e Arteve në Tiranë, ekspozitë që përfshinte 20 vepra të zgjedhura nga viti 1951 deri në ditët e sotme, si: “Kompozicioni” – 1951, “Muzikanët” – 1961, “Lufta për pushtet” – 1972, “Lufta për paqe” – 1995, “Shqipëria fantastike” – 1997, etj. “Kur vi në Shqipëri më duket se vi në shtëpinë time, ose e thënë ndryshe si në parajsë. Nuk ka vend më të bukur se ky. Sot, në qoftë se kam një farë emri ia dedikoj vendit tim, popullit, njerëzve që më edukuan dhe bënë që unë të ecë përpara”, kështu është shprehur në këtë vizitë Kodra, ndërkohë që një vend të veçantë i ka kushtuar edhe figurës së Nënë Terezës, të cilën e ka barazuar me një engjëll.
Jeta në Itali
Ibrahim Kodra nis studimet në Brera të Milanos, Itali, në vjeshtë të vitit 1938. Fëmijëria e tij ka qenë e vështirë dhe kur ishte vetëm tetë vjeç ikën nga shtëpia dhe punon si dizenjator për një tregtar në Durrës, deri në momentin që nga dogana e këtij qyteti përfundon në oborrin e Mbretit Zog. Aty njeh nënën mbretëreshë, e cila i jep mundësinë të studiojë në shkollat e Tiranës, së bashku me princërit Tati dhe Sherafin. Pikërisht ajo e dërgon në Itali me një bursë studimi, në përfundim të liceut. Duke u nisur nga Durrësi me miq të tij, Kodra mbërrin në Itali, ku qëndron në Milano. Ishte koha e Italisë fashiste. Në Brera ai ndjek kurset nga maestro Carpi, e më pas ndjek leksionet e professor Carrà, më pas vazhdon ato të Messina-s. Kalon provimin e pranimit me Aldo Carpi, për të vazhduar studimet në atë akademi, ku ndiqnin studimet vetëm artistët “me prirje për t’u bërë shumë të famshëm”. Pas luftës ai merr pjesë në lëvizjet artistike më domethënëse me grupe të tilla, si “Përtej Guernikës” (1945) dhe “Linjë” (1947). Po atë vit, Pol Elyar viziton studion e tij, duke e përcaktuar “le primitif d’une nouvelle civilitatio”.
Ekspozitat
Në vitin 1948 merr pjesë në Romë në Konferencën Ndërkombëtare të paqes dhe me atë rast njihet me Pikasonë, me artin e të cilit do të mbetet thellësisht i lidhur. Të panumërta janë ekspozitat e tij personale dhe kolektive, mes të cilave kujtojmë: Galeria “Bergamini” në Milano (1957), Galeria “Cèzanne” në Kanë (1958), Galeria “Senatore” në Shtutgard (1959), “Muzeu i Ulmës” (1961), Galeria “Studio F22” në Pallatin mbi Vaj (1974), binjakëzim Milano-Frankfurt në Frankfurt (1984), Galeria “LaTela” në Palermo (1988), “Muzeu i shtetit të Tbilisit” (1989), Napoli (1992), Sanremo (1996), “Kodra dhe Teatri Massimo” (1996) etj.
Çmimet
Mes çmimeve të shumta dhe nderimeve të marra, kujtojmë “Medaljen e Artë” të Akademisë Franceze në 1972, çmimin “Nder i Kombit”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë në 1996, në Tiranë etj. Veprat e Ibrahim Kodrës janë të ruajtura përveçse në Vatikan dhe pranë dhomës së deputetëve në Romë, edhe në muze të shumtë e në galeri, si edhe në koleksione private në të gjithë botën. Kodra ka jetuar e punuar në Milano, ndërsa kalonte një pjesë të vitit në Pozitano, vend që e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Një pjesë tjetër të kohës e ka kaluar në Siçili, e mbi të gjitha në Açireale, në Palermo dhe në Alkano, ku kohët e fundit së bashku me maestron Evola ka realizuar një skulpturë me titullin “Guri i jetës”. / KultPlus.com