25 Tetor, 2023 - 6:30 pm
Në galerinë “Qahili” nesër do të organizohet ekspozita me punime dhe ilustrim të artistit, Zamir Mati, piktor i merituar, ku edhe do të ketë diskutime nga arkeologu i fjalës shqipe në shkrime prehistorike të Mesdheut, Ilir Mati, dhe në mënyrë paralele, promovim post-mortum të librit të shkrimtarit Kiço Blushit, “Beni ecën vetë”, shkruan KultPlus.
Ekspozita, diskutimi dhe promovimi janë të përmbledhura në një emër, “Udhëtojmë” dhe kjo seri aktivitetesh do të zhvillohet duke e reflektuar konceptimin e udhëtimit, pasi do të shfaqen momente të ndryshme nëpër të cilat vet njerëzit kanë kaluar, e që në të cialt njëkohësisht edhe janë rritur.
Arti dhe udhëtimi janë të ndërthurura, pasiqë këto të dyja përfshijnë hulumtimin, kreativitetin dhe shprehjen e përvojave njerëzore. Koncepti i udhëtimit në aspektin sociologjik është një temë shumështresore që përfshinë forma të ndryshme të lëvizjes dhe kërkon mënyrat e thella në të cilat lëvizja ndikon në jetën individuale dhe shoqërinë në përgjithësi.
Udhëtimi nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen fizike, por edhe me dinamikat sociale, kulturore, ekonomike dhe politike që lidhen me të. E të gjitha këto elemente ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme në krijimin dhe rritjen e secilit individ. Andaj edhe kjo është njëra nga mënyrat e trajtimit të temave të ndryshme të artit pamor, të shkrimit si dhe të hulumtimeve arkeologjike.
Eventi do të fillojë nga ora 17:00 në Galerinë “Qahili”. /KultPlus.com