21 Nëntor, 2022 - 10:51 pm
Era Berisha
Një udhëtim dymbëdhjetë orësh me një tren sovjetik që nisi nga kufiri polak dhe arriti deri në Kiev, ku dritaret ishin të ngulitura deri në errësirë dhe karriget ishin të ngushta, ka qenë përjetimi personal i shkrimtarit Ben Blushi i cili sonte në Prishtinë nëpërmjet hapjes së ekspozitës së tij me fotografi nga lufta në Ukrainë, nën emërtimin “Ukraina në 10 orë”, ka rrëfyer një histori që vjen sa në një ndjesi rrëqethëse aq edhe reale, shkruan KultPlus.
Kur ora shënoi fiks 19:00 dyert e hapura në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës kanë mirëpritur një numër të lartë të artdashësve që kanë mbushur hapësirën nga cepi në cep. Zonat e bombarduara të Irpinit dhe Borodyankës (regjioni Bucha) qenë ato që së pari në këndin e majtë kanë kapur vëmendjen e gjithsecilit. Të vendosura njëra pas tjetrës dhe në ngjyrë bardh e zi, fotografitë përçonin një ndjenjë të akullt, që padyshim hynte deri në kocka të shpirtit të pranishëm.
Avionë luftarak, ndërtesa të shkatërruara, banera të vendosura me titullin “Free Mariupol Defenders”, tanke të braktisura në mes të rrugës, vetura të goditura me plumba të shumtë, këpucët e të vrarëve në Muzeun e Luftës, e deri tek veçantia e pakrahasueshme e bustit së poetit të pushkatuar ukrainas, Taras Shevçenko si dhe fotografisë së fytyrës së Presidentit ukrainas Volodymir Zelensky, përshkuan gjithë këtë ekspozitë që ka sjell emocione të shumta.
Ekspozita “Ukraina në 10 orë” qëndroi e hapur në COD në Tiranë gjatë gjithë muajit shtator dhe tani e vendosur në Prishtinë, po merr edhe një vëmendje tjetër. Përveç pjesës së dhimbshme që nuk do as fjalë për t’u përshkruar, ngaqë më së miri vjen në formën e artit pamor, është edhe pjesa e qetë që shfaqet nëpërmjet fotografive ku shihet qartazi lumturia e popullit ukrainas në qytetin e Kievit. Shihen njerëz duke pirë cigare, çifte duke u puthur, fëmijë duke shëtitur, njerëz duke buzëqeshur e duke dalë në shëtitje me qenë, dhe kësisoj të jepet imazhi se është një qytet normal por në fakt, është ajo frika dhe paniku, që dukshëm vendoset automatikisht në brendësinë e tyre sepse në çdo sekondë, ata janë në rrezik nga ushtria ruse.
Fotografitë bardh e zi gjithmonë në thelb kanë një magji në vetvete që kapin syrin e çdokujt dhe këtu dallohen edhe detajet më të imëta që vinë nga aparati i shkrimtarit Blushi. Në këtë rast, ekspozita “10 orë në Ukrainë” na shfaqet e ndarë në dy pjesë. “Pjesa e bardhë” janë ato fotografitë që portretizojnë harmoni, paqe e dashuri në Kiev ndërsa “pjesa e zezë” janë zonat e bombarduara të luftës që me vrazhdësinë e tyre diktojnë vuajtjet e popullit ukrainas.
Ekspozita u hap nga fjalimi i ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili thotë se Kosova dhe Ukraina kanë shumë të përbashkëta, në këto momente.
“Në kohën e luftës, populli i Ukrainës ka shprehur ato vuajtje e rezistencën e pakohshme. Ukraina është një qytet i cili vuan por përqendron për të arritur një fitore të madhe. Kosova është një popull liridashës i cili e njeh mirë se çdo të thotë shtypja, represioni, dhunimi, andaj ka shumë gjëra të përbashkëta që Kosova dhe Ukraina ndajnë në këto momente. Unë ju falënderoj shumë sepse populli i Ukrainës ka kaluar disa kohë shumë të vështira por ka bërë një dhuratë shumë të mirë. Ata kanë sjell një pjesë të së tashmes që gjithë njerëzit e ndjekin nëpërmjet lajmeve e ekraneve, të një populli që gjendet në kohë të vështirë”, thotë Minxhozi.
Po ashtu, kuratorja e kësaj ekspozite Eridana Çano është shprehur se ekspozita shpalos një foto-reportazh të përjetimeve të Blushit, përjetime këto tejet të thella që do të duhet të ndaheshin me Kosovën.
“Jam shumë e kënaqur që së bashku me Blushin vijmë në stacionin e parë të kësaj ekspozite shëtitëse. Është një ekspozitë e cila të jep shumë mbresa dhe jam shumë e bindur që juve do të ju kujtojë momente të vështira që keni kaluar vite më parë, por që normalisht sjell edhe mesazhe të jashtëzakonshme të këtij populli liridashës i cili nuk ndalon së luftuari dhe kërkuari pavarësinë nga okupatori. Në fakt, kur Blushi erdhi dhe na propozoi këtë ekspozitë, ishim pak hezitant në fillim sepse është një ekspozitë me shumë mbresa, emocione dhe përcjell shumë mesazhe. Vendosëm që t’i jepnim një hapësirë në kalendarin tonë të tej mbushur dhe ekspozita u realizua në shtator. Këtu kemi sjell vetëm gjysmën e punës së Blushit dhe është një përjetim i jashtëzakonshëm. Ukraina e kërkon paqen çdo ditë dhe njerëzit luftojnë për të, andaj Blushi e ka sjell këtë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një foto-reportazh e përjetimeve të tij të thella që donim ta ndanim edhe me publikun e Kosovës”, ka thënë Çano.
Ndërsa, vetë autori i ekspozitës, Ben Blushi e ka treguar historinë se si ai e gjeti veten në Ukrainë, në mesin e zonave të bombarduara.
“Lufta ndoshta mund të mbarojë pas katër muajsh dhe kjo ekspozitë nuk do të kishte kuptim më. Isha unë në Ukrainë muajin qershor, atëherë kur konflikti dukej shumë ndryshe. Ne shkuam nga Polonia me tren të kohës sovjetike në Kiev dhe pati shumë njerëz malazez e shqiptarë. Gjëja e parë që na u tha është që dritaret të mbylleshin sepse çdo sekondë jeta jonë mund të rrezikohej nga avionët rusë. Shkuam në dy qytete të bombarduara, të cilat unë i kam sjell nëpërmjet fotografive. Ne lundruam në ato zona për dhjetë orë, pra nga ora tetë e mëngjesit deri në tetë të darkës. Këto pamje janë të krijuara tri javë pasi rusët ishin tërhequr nga këto zona. Shpresoj që të shihni se çfarë dhune është ushtruar në një qytet civil ku janë vrarë qindra persona. Impakti i luftës në Ukrainë mund të ketë efekt edhe në Kosovë”, thotë Blushi.
Për KultPlus, ai ka potencuar se konflikti ishte shumë aktiv, shumë më i rrezikshëm se sot.
“Kam qenë aty disa javë pas dy masakrave që rusët bënë në dy qytetet shumë afër Kievit. Një pjesë e madhe e këtyre fotografive janë në këto dy qytete, aty ku u vranë shumë civil dhe u bombardua zona. Aty pata mundësi të shoh gjurmët që kishte lënë ushtria ruse dhe më mirë se kudo, kjo mund të kuptohet në Kosovë. Kosova është vendi i fundit në Evropë që para Ukrainës ka pësuar një terror nga një ushtri e huaj pushtuese, andaj doja të vija në Kosovë që ky mesazh të kuptohet më lehtë. Një pjesë tjetër e fotografive është në Kiev, ku shihet si një qytet i qetë ku ka njerëz duke pirë cigare, çifte duke u puthur, fëmijë duke shëtitur. Duket si qytet normal por është qytet që jetonte në panikun e luftës sepse në çdo sekondë gjatë qershorit, kuptohej se ushtria mund të afrohej. Doja ta sillja këtë emocion nëpërmjet aparatit fotografik sepse fotografitë flasin më shumë se tekstet”, thotë ai.
Sipas tij, ai ka më pak se një vit që merret me fotografi, por kjo është ekspozita e tij e parë për Ukrainën dhe ai ndjehet me fat që e bëri në një kontekst lufte. Fotografitë bardh e zi, ai i konsideron që komunikojnë më mirë sesa ato me ngjyra.
Ndërsa, Eliza Hoxha e cila po ashtu pati hapur ekspozitën e saj personale që ka ardhur si një rrugëtim personal i të ’90-tave dhe një reflektim e interpretim i pasojave të luftës në Kosovë, për KultPlus ka thënë se fotografia shpesh nuk vlerësohet sa duhet.
“Së pari kur e dokumenton luftën, së pari e kupton që fotografia shumë shpesh nuk vlerësohet sa duhet e sidomos në kohën e sodit, kur të gjithë jemi njëfarë lloj fotografë, që e kanë në dorë telefonin e mençur që realizojnë fotografi fantastike. Në fakt, kur e kthen prapa kohën, rrethanat e momentin, e sheh që fotografia është ajo që e përjetëson atë, e dokumenton dhe e krijon shtresimin jetësor të cilitdo komunitet kudo në botë. Andaj, në këtë rast kur i shohim fotografitë e Benit, e kuptojmë se sa e rëndësishme ka qenë çdo luftë. Kjo është vetëm një ekspozitë që shpërfaq një ndjesi e asaj se çfarë po ndodh atje, dhe si duket vendi”, ka thënë Hoxha.
Ekspozita “Ukraina në 10 orë” do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com