11 Nëntor, 2024 - 4:57 pm
Bienalja e Karikaturës ‘Niko Nikolla’ mblodhi bashkë në një mbrëmje gala, artistë nga e gjithë bota, ndërsa mbylli këtë edicion të tretë të tij me natën finale të ndarjes së çmimeve.
Ky event i rëndësishëm që veshi me art kryeqytetin e Shqipërisë, këto ditë të ftohta nëntori ndau 13 çmime, duke vlerësuar artistë shqiptarë e të huaj. “Të bashkëjetosh në një botë digjitale”, si edhe portreti i ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ishin dy temat mbi të cilat punuan artistë nga 53 shtete të botës. Kjo mbrëmje u hap me një dedikim kushtuar personaliteti të njohur të letrave, sikundër ishte Niko Nikolla.
Çmimi i parë për temën “Të bashkëjetosh në një botë digjitale” shkoi në Kubë, ndërsa një tjetër vlerësim për portretin e politikanit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shkoi për artistin nga Peruja, Uolter Toskana. Me dy çmime të dyta u vlerësuan artisët shqiptarë: Endri Beqo, si dhe Arben Meksi.
Si figurë politike, subjekt i veprave në karikaturë i pranishëm në Tiranë për këtë bienale ishte politikani i shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili nuk e fshehu kënaqësinë e pranisë së tij në këtë event të artit.
“Jam shumë i privilegjuar dhe me të vërtet i befasuar, pasi kam pasur mbi 80 punime me temën e Abazoviqit . Për mua arti ka një vlerë të posaçëm”, u shpreh ish-kryeministri i Malit te Zi, Dritan Abazoviq.
Drejtoresha e Bienales së Karikaturës, Flora Nikolla, shpall vitin 2025 si vitin e karikaturës, me qëllim të vlerësimit të artistëve që bëjnë këtë lloj arti që i duhet dhënë rëndësia e duhur./rtsh/ KultPlus.com