‘Unë jam Shqiptar’

3 Gusht, 2018 - 7:35 pm

Muzeu i Kosovës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të Kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, do të sjellin ekspozitën me titull “Unë jam Shqiptar”, përcjellë KultPlus.

Në këtë ekspozitë përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj.

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës më të lavdishme të shqiptarëve por dhe kohës kur filluan valët e para të emigrimit shqiptar.
Ekspozita përmban foto të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, foto të arvanitasve dhe Rilindësve shqiptarë.

Fotoja e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar më fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë.

Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptarë në vendet e emigrimit të tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 10 gusht deri më 31 gusht, duke filluar nga ora 10:00 deri 18:00 , nga dita e martë deri të dielën.
Në hapje të ekspozites do të ketë koktej rasti dhe do të performoj grupi muzikor “Don’t listen to your neighbors”./KultPlus.com

Të ngjajshme