13 Qershor, 2019 - 6:17 pm
Një shkëmbim eksperiencash, programesh, idesh por edhe një mbështetje ndaj njëri tjetrit është qëllimi kryesor I aktivitetit të përvitshëm “Ura me Tri Harqe”. Universiteti i Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës i sjell bashkë studentët e arteve. Ata u njohën fillimisht me filmat e krijuara nga studentët e regjisë. Hana Bucalija në filmin e saj 12 minuta nënvizon shtirjen në rrjetet sociale.
“Kam bërë një film, i cili flet për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën tonë. E gjitha zhvillohet në bazë të perspektivës së një fëmije, që është qasja më e sinqertë për një film, por edhe më e vështira”, tha Hana Bucalija, studente.
Hana sjell në film problemet një familjeje, e cila vuan hipokrizinë, xhelozitë apo luftën e brezave.
“Në thelb e shohim nëpërmjet kameras profesionale se çfarë ndodh në të vërtetë, mirëpo kur vjen kamera e dorës e shohim se sa “fake” jemi ne para medias sociale dhe qysh mundohemi të përgënjeshtrojmë lumturinë”, tregon Hana Bucalija, studente.
Ndërkohë që studentët e tjerë janë më shumë të prirë rreth shqetësimeve sociale.
“Studentët në Prishtinë, kryesisht kanë detyrat e tyre që janë të përcaktuara në plan program. Por marrin kryesisht edhe tema sociale, tema që i kanë shqetësimet e tyre”, tha Ekrem Xani, pedagog.
Pjesë e aktivitetit Ura me Tri Harqe është edhe kjo ekspozitë ndërmjet Universitetit të Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës, përkatësisht me nga 20 punë. Ky është një aktivitet që vit pas viti transferohet nëpër qytete dhe tashme radha i takonte Tiranës/TCH.