28 Nëntor, 2017 - 9:35 pm
Sot, në ditën e festës dhe ndjenjave që e përshkojnë secilin shqiptar, duhet kujtuar edhe datëlindjen e Gjon Milit, fotografit shqiptar me famë botërore.
Mili lindi me 28 nëntor të vitit 1904 në Korçë ndërsa ndërroi jetë me 14 shkurt 1984 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kur Gjoni ishte 5 vjeç familja Mili, emigroi në Rumani. Këtu ai mbaroi shkollën e mesme. Në vitin 1923 arriti në SHBA, ku filloi të merrej me punë të ndryshme ndër to edhe me fotografim si amator. Gjatë punës Mili kuptoi se një nga faktorët më të rëndësishëm të fotografimit ishte ndriçimi i duhur i objektit.
Pra fotografia ishte arti i dritës.
Ndërkohë ai filloi edhe të shkruajë. Tri novela të tij me tituj “Larg”, “Ëndërr” dhe “Nëna”, u botuan në revistën “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino në vitin 1929. Më vonë studioi në universitetin e famshëm MIT (Instituti Teknologjik i Massachusetts), ku u diplomua si inxhinier ndriçimi, profesion me të cilin punoi në ndërmarrjen e prodhimeve elektrike “Westinghouse”. Mili përdori për herë të parë “fleshin elektronik” dhe “dritën stroboskopike”, të shpikura nga profesori Harold Edgerton në vitin1931, me të cilin ai bashkëpunoi gjatë. Në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin.
Rëndësi të madhe në jetën e Milit pati njohja dhe miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte dhe të thellonte krijimtarinë e tij në fushë të artit. Për 15 vjet Mili ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”. Në vitin 1946 u hap në Paris ekspozita e tij vetjake. Filozofi Jean Paul Sartre tha fjalët më të mira për këtë ekspozitë dhe veçanërisht për punët e Milit. / KultPlus.com