25 Prill, 2025 - 2:23 pm
Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se të mërkuren, me datë 30 prill, duke filluar nga ora 19:00 do të hapet ekspozita personale e artistit Valdrin Thaqi, e titulluar “Shtëpia Mbi Kodër”.
Në njoftim thuhet se “Shtëpia Mbi Kodër” është ekspozita e parë që nis programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Qafa.
“Si pjesë e përbërëse Galerisë Kombëtarë të Kosovë, kjo hapësirë do të shërbej si një platformë
eksperimentale dhe avangarde për artin bashkëkohor, me fokus në mbështetjen e artistëve të rinj,
komisionimin e veprave të reja dhe organizimin e ekspozitave të para personale ndër të tjera– duke
krijuar mundësi të reja për zhvillimin dhe prezantimin e praktikave te ndryshme artistike”, thuhet në njoftimin e galerisë.
Në ekspozitën e tij, Valdrin Thaqi nuk ndërton një narrativë, por zbërthen një dimension të
mbushur me reflektime të thella mbi ekzistencën, identitetin dhe nocionin e asaj që njohim si
shtëpi. Të krijuara gjatë dy viteve të fundit, veprat e paraqitura artikulojnë një gjuhë mes pikturës
dhe skulpturës. Ato përfshihen në një dialog të heshtur, duke ndërtuar terrene të ndërlikuara për
vizitorët që orientohen mes tyre./KultPlus.com