25 Janar, 2023 - 7:04 pm
Daut Berisha, mjeshtri i pikturës me një karrierë mbresëlënëse në kryeqendrën botërore të artit, vdiq të hënën e kësaj jave në Prishtinë, ku erdhi së voni, kur iu rëndua gjendja shëndetësore. Ishte 76 vjeç. U varros të mërkurën po në Prishtinë. Kanë qenë familjarët e tij të afërt që e kanë konfirmuar lajmin.
Daut Berisha u lind më 1946 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Paris. Prej vitit 1973 mori pjesë në ekspozita të përbashkëta më piktorët francezë, sidomos në “Grande Palais” dhe në galerinë “Ires Clert” të Parisit.
“Ekspozoi në Paris (1977, 1979), Mont la Jolie (1979), Nansye (1982) Vale de Bravo, Meksikë (1982), Los Angeles (SHBA)”, shkruhet në biografinë e tij në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”.
Njeriu, portreti qe kryefjalë e vepër së tij. Siç shkruan kritiku Rexhep Goçi, botën reale dhe joreale të njeriut, Daut Berisha në pikturat e tij i ktheu në formësim artistik, herë si dritë fizike dhe herë si rrëfim shpirtëror.
“Në fillim artin e tij e përcolli simbolika e trajtave dhe më vonë pasuria e ngjyrave. Veprat e tij gjenden në shumë koleksione private, galeri e muze”, ka shkruar Goçi. / KultPlus.com