15 Tetor, 2024 - 12:46 pm
Fotografi britanik që dokumentoi rrethimin e Sarajevës, Paul Lowe, ka ndërruar jetë sot në moshën 61-vjeçare në Los Anxheles të SHBA-ve.
Lajmin për vdekjen e tij e ka publikuar VII Academy përmes profilit të saj në Facebook, duke shprehur trishtim për humbjen e mikut dhe kolegut të dashur.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për vdekjen e mikut dhe kolegut tonë të dashur, Paul Lowe, jeta brilante e të cilit u ndërpre të shtunën në Los Anxhelos. Paul ishte një shok trim dhe i dashur, dhe një baba e bashkëshort thellësisht i përkushtuar. Humbja është tronditëse dhe e madhe, dhe zemrat tona janë me bashkëshorten dhe familjen e tij – thuhet në postim.
Organizatorët e festivalit FOTOIST në Kosovë gjithashtu u përshëndetën me Lowe, duke vlerësuar kontributin e tij për kulturën e kujtesës dhe rolin e tij si mik i festivalit. “Paul Lowe ishte anëtar bordi i FOTOIST dhe ekspozita e tij “Rrethimi i Sarajevës” u ekspozua më 2023 në Prishtinë.
Humbje e madhe për fotografinë botërore” – deklaroi miku i tij, fotografi Burim Myftiu
Paul Lowe ishte një nga reporterët e luftës që arriti në Sarajevë gjatë rrethimit, ku qëndroi deri në vitin 1996, duke dokumentuar jetën e përditshme të banorëve të qytetit dhe luftën e tyre për të mbijetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Punimet e tij përfshinin momente të rëndësishme historike, duke përfshirë rënien e Murit të Berlinit, lirimin e Nelson Mandelës, urinë në Afrikë, si dhe luftën në ish-Jugosllavi dhe shpërbërjen e Groznit./ KultPlus.com