Vepra artistike NFT nga artistja robotike Sophia do të dalë ankand

24 Mars, 2021 - 7:28 pm

Artistja robotike Sophia, vepra e parë e artit e së cilës del në ankand të mërkurën, thotë se ajo merr frymëzim për punën e saj nga njerëzit dhe është e hapur për partneritete të ardhshme krijuese me ata.

Një vepër arti dixhitale nga humanoidi Hanson Robotics me bazë në Hong Kong, në formën e një Tokeni Jo-Fungible (NFT), do të dalë në ankand në shitjen e parë të pjesëve të tilla të krijuara së bashku me inteligjencën artificiale (AI).

NFT janë bërë mania më e fundit e investimeve, pasi një vepër arti është shitur këtë muaj për gati 70 milionë dollarë.

“Shpresoj që njerëzit ta pëlqejnë punën time, që ne të bashkëpunojmë në mënyra të reja dhe emocionuese duke shkuar përpara,” tha Sophia në studion e saj, duke folur me një zë të sheshtë.

Sophia, e cila u zbulua në vitin 2016, prodhoi artin e saj në bashkëpunim me artistin dixhital italian 31-vjeçar Andrea Bonaceto, i njohur për portrete shumëngjyrëshe, disa prej të cilave përshkruajnë njerëz të famshëm, të tillë si shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk.

Roboti ka kombinuar elemente nga veprat e Bonacetos, historisë së artit dhe vizatimet e saj ose pikturat në sipërfaqe të ndryshme .

“Ne përdorim rrjete transformatorësh dhe algoritme gjenetike në artin tim, dhe lloje të tjera të krijimtarisë llogaritëse”, shtoi Sophia. “Algoritmet e mia nxjerrin modele unike që kurrë më parë nuk kanë ekzistuar në botë. Kështu që mendoj se makineritë mund të jenë krijuese. ”

E quajtur “Sophia Instantiation”, vepra dixhitale është një skedar MP4, 12 sekondëshe, që tregon evolucionin e portretit të Bonacetos në pikturën dixhitale të Sophia dhe shoqërohet nga një vepër arti fizike, e pikturuar nga Sophia në një shtypje të autoportretit të saj.

Pas ankandit, Sophia do të ndërveprojë me ofertuesin, për të studiuar fytyrën e tij ose të saj, dhe për t’i dhënë një prekje finale me brushë. /demokracia/ KultPlus.com

Të ngjajshme