2 Gusht, 2017 - 9:57 pm
Njerëz të rëndomtë mbajnë në duar fotografinë e qyteteve, emrat e të cilëve në fakt janë edhe emrat e këtyre individëve.
Saranda mban në duar fotografinë e plazhit të Sarandës, Miloti mban në duar fotografinë e Milotit shqiptar, Butrinti, Shkodrani, Gjirokastra. Të gjithë janë qytetarë të Kosovës por me emra të qyteteve të Shqipërisë.
Alban Muja ka zgjedhur këtë perspektivë artistike për punën “My Name Their City”, e cila si pjesë e koleksionit të Muzeut Ludwig në Budapest nga mbrëmë është pjesë e ekspozitës permanente. Puna artistike e vitit 2012-të nuk është vetëm e bukur estetikisht, por prapa vetes merret me emërimin si fenomen më të thellë.
Fenomeni i emërtimit të fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, në Kosovë ka lindë si pasojë e ndikimit të politikave të identitetit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Ëndrra dhe ideja për Shqipërinë e unifikuar u zhvillua në shekullin e XIX që nga Lidhja e Prizrenit. Ide kolektive e lidhur me bashkimin e teritorit përreth territorit aktual të Shqipërisë për të formuar Shqipërinë e Madhe. Në pjesën e dytë të shekullit XX, ideja e Shqipërisë së Madhe, u bë nyja kryesore dhe forca ideologjike që shtyu shoqërinë nën represion, kjo periudhë përfundoi me Pavarësinë e Kosovës në dekadën e parë të Shek XXI, thuhet në konceptin e veprës së artistit kosovar.
Emërimi i fëmijëve sipas qyteteve të Shqipërisë, buron nga faktorë tjerë. Si për shembull, pamundësia e shqiptarëve të Kosovës të udhëtojnë drejt çka ata ndjenin si mëmëdhe, atje ku kishin etninë e përbashkët – çka edhe ushqej ndjenjën e nostalgjisë për Shqipërinë. Për shembull menjëherë pas luftës së dytë botërore, ka ndodh që¬ motrat dhe vëllezërit, të ndahen, duke ngec në dy anët e kufirit në kohën e ‘mbylljes’ menjëherë pas luftës së dytë botërore. Nuk kishin mundësi të takohen deri në periudhën e rënies së komunizmit në fillim të viteve të 90-ta. Në këtë periudhë ishte bërë zakon që fëmijët të quheshin – Berat, Milot, Saranda, Gjirokastra, Shkodran, Butrint, Vlora, një gjë e pazakonshme për banorët e këtyre vendeve, shkruan KultPlus.
Ekspozita në fjalë u hap me datë 1 gusht dhe do të jetë e hapur deri me 31 dhjetor. Pos Mujës, punët e Andy Warhol, Picasso, Mladen Stilinovic, Adrian Paci, Flaka Halitit, Gentian Shkurtit, Jakup Ferrit e artistëve tjerë janë pjesë e kësaj ekspozite. / KultPlus.com
Fotografia kryesore: Fadil Berisha