25 Mars, 2019 - 9:52 pm
Gili Hoxhaj
Javët e Frankofonisë kësaj herë kanë pasuruar Galerinë Kombëtare të Kosovës. Deri në mes të prillit aty do të qëndrojë Koleksioni Francez nga Muzeu i Artit Bashkëkohor në Shkup, shkruan KultPlus.
Afro pesëdhjetë vepra të artistëve francezë kishin zënë krejt katin e dytë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat vinin nga disiplina të ndryshme si: grafika, skulptura dhe vizatime dhe i përkisnin stileve të ndryshme që autorët francezë kishin krijuar gjatë shekullit të kaluar. Veprat e tyre ilustrojnë lëvizje të ndryshme, kubizmin, surealizmin apo edhe ekspresionizmin dhe cilësohen si dëshmi e tërheqjes që kishte Parisi gjatë tërë shekullit të XX sa i përket artit bashkëkohor.
Koleksioni është pjesë e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup që është themeluar në vitin 1964, nga i cili edhe vjen një pjesë e këtij koleksioni. Ky muze u themelua një vit pasi tërmeti goditi Shkupin më 26 korrik të vitit 1963. Ky muze i ndërtuar me ndihmën e artistëve të njohur dhe historianëve të artit të cilët ishin bashkuar kryesisht në kuadër të shoqatave ndërkombëtare si AICA, ICOM, AIAP, por edhe nëpër muze e galeri. Në vitin 1970 u përfundua ndërtimi i objektit modern ku u dhuruan vepra nga rreth pesëdhjetë vende të ndryshme të botës. Shumë shpejt u krijua një koncept për vendosjen dhe hapjen e ekspozitës së përhershme, në të cilën veprat e artistëve francezë ishin sigurisht sfiduese. Deri tani koleksioni përmban 283 vepra nga 152 artistë. Ndërkaq, kuratorë të kësaj ekspozite janë Marika Bočvarvova Plavevska dhe Blagoja Varošanec.
“Shembulli i ambientit popullor parizien reflektohet në shumë vepra, impulsin dhe angazhimin, i cili është vendosur pikërisht në inercionin ndaj politizimit nga ngjarjet historike, sidomos që janë të lidhura më shekullin e kaluar. Ne mund të përjetojmë reflekset pozitive në këtë lloj prezantimi të koleksionit tonë francez”, shkruhet në fjalën e kuratores Marika Bochvarova.
Drejtuesja e GKK-së Arta Agani- Bunjaku tha se Shkupi pati një lloj fati në fatkeqësi, pasi që me përkrahjen e ndërkombëtarëve u themelua Muzeu i Artit Bashkëkohor. Ajo tregoi para të pranishmëve se ekspozita mysafire përmban vepra nga një periudhë e gjatë e krijimtarisë francez, ku më e vjetra është nga Andre Masson që daton nga viti 1942 dhe më e reja nga Niki de Sant- Phalle nga viti 1982.
“Koleksioni francez brenda Muzeut Bashkohor të Artit në Shkupi sigurisht që është një nga pjesët më të rëndësishme, sonte kemi rastin të njihemi më 49-të nga 283 vepra të këtij koleksioni”, tha në fjalë ne saj Bunjaku-Agani.
Në hapje të ekspozitës, e cila është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë, morën pjesë shumë personalitete nga bota e artit dhe politikës. Në hapjen e kësaj ngjarjene të Javëve të Frankofonisë morën pjesë edhe Kujtim Gashi, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Didier Chabert, Ambasador i Republikës së Francës në Kosovë.
Ambasadori francez Dieder Chabert në fjalën e tij tha se kjo ekspozitë paraqet një moment të shkëmbimit artistik dhe krijimit të urave mes dy vendeve. Chebert theksoi në fjalën e tij se është hera e parë që në Prishtinë ka zënë vend një ekspozitë e nivelit të tillë me vepra franceze.
“Nuk do t’i përsëris të gjithë emrat e piktorëve, pikturat e të cilëve do t’i shihni por janë emra të mëdhenj të artit francez. Është një moment prekës po ashtu se në momentin kur po e festojmë 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë kësaj here është intervenim i një natyre pacifiste, pra ekspozimi i veprave franceze në Kosovë”, u shpreh Chebert.
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi që në fillim hodhi poshtë fjalimin e tij të përgatitur të cilën tha që për shkak të kohës nuk do ta lexoj. Pasi përshëndeti të pranishmit, në fjalën e tij fillimisht kërkoi një duartrokitje për punën e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe asaj të Shkupit.
“Kjo ngjarje sonte tregon edhe një herë për një trekëndësh të bashkëpunimit mes Kosovës, Maqedonisë por edhe Franceze nëpërmjet ambasadorit dhe Ambasadës Franceze në Kosovë. Jam shumë i lumtur që për një të ardhme të shkurtër do të kemi një bashkëpunim të njëjte pasi që galeria jonë do ta paraqitet me ekspozitë në Galerinë e Shkupit dhe e njëjta do të ndodhë edhe në Kosovë, dhe ky është një bashkëpunim që po ndodh mes dy vendeve përmes artistëve”, tha tutje Gashi.
Ekspozita paraqiste punën e piktorëve të shekullit 20-të, të cilët ministri Gashi përmes fjalës së tij i falënderoi.
“Unë jam këtu në emër të qeverisë dhe ministrisë për ti falendëruar të gjithë artistët francezë që do të shohim përmes ekspozitës punën e tyre dhe të njëjtën kohë me rikonfirmu bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me Ambasadën e Franceze dhe po ashtu edhe me Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë”, tha në fjalën e tij Gashi.
Këshilltari politik i Presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj në fjalën e tij tha se kryefjala e kësaj ekspozite duhet të jetë solidariteti.
“Origjina e këtij koleksioni është në solidaritetin e popujve të botës në atë kohë me popullin e Maqedonisë, pra të Shkupit. Një solidaritet të tillë e kemi përjetuar edhe ne para 20 vitesh kur popujt e botës e ndërprenë gjenocidin në Kosovë, ka qenë edhe një gjenocid kulturor”, tha Arifaj.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 25 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës./ KultPlus.com