Vepra unike nga Kosova, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina shpalosen në KultPlus Caffe Gallery

19 Nëntor, 2023 - 10:30 pm

 
Mbrëmja e së shtunës në KultPlus Caffe Gallery ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të parë, admiruar e zbuluar copëza historie nëpërmjet ekspozitës me titull “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”. Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, të pranishmit udhëtuan nëpër disa fotografi dhe instalacione magjepsëse të shpalosura në printim fotografik, shkruan KultPlus. 

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, në një mënyrë unike ka prezantuar vepra artistike nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia. Ky eveniment kulturor që filloi fiks në orën 17:00 ka pasur për qëllim krijimin e një programi dinamik rinor që bashkon të rinjtë nga këto tri shtete dhe si duket, ia ka arritur qëllimit më së miri. 

Ndërsa eksploroni ekspozitën, ju vëreni shkrirjen e ndikimeve tradicionale, duke pasqyruar peizazhet, historitë dhe identitetet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor, siç janë: Selma Selman, Kisha “St.George” në Takovo, Monumenti i Luftëtarëve të Rënë, Stecci, Shadërvani, Nadezda Petroviq, Inat Kuca në Sarajevë, Monumenti I Minatorëve në Mitrovicë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, monumenti Pobednik në Serbi, seria e pikturave “Seobra Srba”, Hyjnesha në Fron, Milena Pavloviq Barili, Nebosja Seric-Soba, Manastiri I Dervishëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, “Stari Most” në Bosnjë dhe Hercegovinë, Newborn në Prishtinë, Azem Shkreli, Dua Lipa, e shumë personalitete e objekte të tjera.  

Pra, “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor” nuk është thjesht një ekspozitë; është një dëshmi e fuqisë së artit për të kapërcyer kufijtë, për të lidhur komunitetet dhe për të nxitur një kuptim të përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore që përcakton Ballkanin Perëndimor. 

Nëpërmjet vëzhgimit të ekspozitës, do të vëreni përvojën gjithëpërfshirëse për të nxitë bisedat për paqe dhe pajtim. Pra, do të përjetoni frymën e gjallë të Ballkanit Perëndimor. 

Arbër Gorani, menaxher i lartë nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) të Kosovës, ka thënë se është tejet i lumtur me suksesin e arrirë përgjatë këtij projekti. 

“Mirëmbrëma të gjithëve. Kur e nisëm këtë punë një vjet më parë, kuptuam se jemi në një program tejet kompleks dhe sfidues. Por, gjithashtu kuptuam se ishte një temë interesante dhe inspiruese. Pavarësisht sfidave të ndryshme, ne filluam në muajin dhjetor dhe s’do të mund të ëndërronim për një sukses më të lartë se ky sonte. Andaj, në më pak se një vit u realizua iniciativa e dy pjesëmarrësve nga Programi Rajonal i Partneriteteve Rinore, të cilët erdhën me një ide të bukur, duke krijuar kështu këtë ekspozitë. Ata e kuruan ekspozitën që quhet “Zbuloni shpirtin e Ballkanit Perëndimor”, dhe në kuadër të kësaj, besoj se këtë mesditë ndodhi një shkëmbim librash që ishte po ashtu interesant”, thotë ai. 

Nga brendësia e zemrës së tij, ai tutje u shpreh shumë i lumtur që po e hapin ekspozitën në KultPlus Caffe Gallery, duke cilësuar eventin si një event simbolik për shkak se kosovarët dhe serbët punuan bashkë dhe implemetuan idetë e tyre. 

“Paraprakisht kemi pasur ligjërata dhe diskutime teorike ndërmjet pjesëmarrësve dhe pastaj patëm mundësinë që të shohim se si nëpërmjet muzikës, kulturës, sportit e arteve tjera, arrihet pajtimi i etnive të ndryshme në Kosovë, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë. Deri tani ka shkuar shumë mirë”, përfundon ai. 

Ndërsa, Laberion Nitaj, pjesëmarrës nga Partneri Regjional i të Rinjve, ka thënë po ashtu se ekspozita ofron diçka që nuk është arritur të shihet më herët. 

“Është një gjë interesnate sepse unë vi nga Kosova dhe kolegja nga Serbia, por kemi ofruar së bashku një ekspozitë për ata që ndoshta ende nuk kanë arritur të shohin se çfarë Ballkani ka për të ofruar. Dua të ju falënderoj të gjithëve për prezencën dhe shpresoj që keni shijuar ekspozitën.” 

Ndërkaq, Jovana Dimitrijeviq nga Partneri Regjional i të Rinjve është shprehur e lumtur me miqësinë që ka gjetur përbrenda këtij projekti. 

“Projektin e nisëm si njerëz totalisht të huaj, dhe nuk njiheshim por tani që u bëmë bashkë, kaluan 12 muaj dhe tani asnjëri nga ne nuk ndjehet më i huaj. Të gjithë u bëmë shokë, andaj mendoj se kjo është gjëja më e mirë për këtë program. Kjo ka qenë një mundësi për të takuar njerëz siç janë ata nga Mitrovica, Serbia.” 

Kujtojmë se evenimenti kulturor është mundësuar nga Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP). 

Rrjeti Rajonal i Partneriteteve Rinore (RYPP) luan një rol kyç në mbështetjen e përpjekjeve krijuese të rinisë së rajonit, duke ofruar një platformë për shprehje dhe bashkëpunim. / KultPlus.com 

Të ngjajshme