Veprat e Arbnor Karalitit në Artsy.net, tregu më i madh virtual i artit në botë

12 Maj, 2020 - 3:00 pm

Artsy është tregu më i madh virtual i artit në botë. Platformë kjo me mbi 1 milion vepra arti nga artistë ikonikë dhe artistë në zhvillim, të prezantuar nga mbi 4000 galeri dhe kompani të larta ankandi në mbi 100 vende te botes.

https://www.artsy.net/search?term=arbnor+karaliti

Instituti Shqiptar në New York i ka kushtuar një hapësirë të veçantë në Artsy, punës që bënë artisti Arbnor Karaliti.

Instituti Shqiptar në New York është një institucion artistik dhe kulturor që mbështet, prodhon dhe prezanton spektër të plotë të arteve performuese, arteve vizuele dhe kulturës bashkëkohore.

https://www.albanianinstitute.org/artist/arbnor-karaliti/

Arbnor Karaliti (lindur më 1996, Gjilan, Kosovë) është artist vizual që jeton dhe vepron në Prishtinë.

“Si Artist, praktika ime krijuese trajtohet nga piktura në mediumet e reja, për të gjetur dhe formuar një identitet artistik si proces i njohjes së vetvetes përmes artit. Dhe duke e bërë atë, unë besoj se e dimë kush jemi ne. Në këtë kontekst unë përdorë vaj dhe pëlhurë për të komunikuar me publikun nëpërmjet vrojtimit të personazheve të mia, duke bërë një analizë të pozitës së tyre fizike e subjektit shpirtërore, si metafizike për ekzistencën në hapësirë dhe kohë për shkakun dhe efektin e tyre”, thotë Karaliti për KultPlus.

Puna e tij është e ndikuar nga përvojat personale, problemet ekzistenciale siç janë izolimi ose tabu të ndryshme. Ndërsa, mënyra e tij teknike e të punuarit është e ndarë në faza si në pikturë ashtu edhe në mediat e reja.

“Në pikturë fillimisht skicoj me një vijë të kuqe e cila më ndihmon të vendosë subjektin tim nëpërmjet personazhit dhe të ndajë planet nga prapavija. Kështu duke përdorur vaj e terpentinë, vazhdoj të ripikturoj gjithë hapësirën si një lloj gdhendje derisa të arrij tek faza finale e karakterit dhe gjërave tjera.”

“Kurse tek mediet e reja, zgjedhë fillimisht problemin e pastaj gjatë procesit të hulumtimit, vendosë për mediumin të cilin përdorë, si instalacion, video apo materiale të gatshme, të cilat i përshtaten hapësirës ekspozuese dhe transmetojnë më së miri atë përvojë time personale si rezultat i reagimeve drejt marrëdhënieve shoqërore.”

Arbnori fëmijërinë e kaloi në një fshat mes maleve, të quajtur Zllatar. Ai ndjeki Gjimnazin për Matematikë dhe Informatikë në “Kuvendi i Arbërit” Ferizaj. Në vitin 2019 përfundoi studimet për Pikturë në Akademinë e Arteve në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme