Veprat e artistit Pablo Picasso, “rigjallërohen” nga Paul Smith

7 Mars, 2023 - 3:30 pm

Dizajneri britanik Sir Paul Smith i ka dhënë “një gjallëri të re” veprave të artistit Pablo Picasso në një ekspozitë që ai drejtoi në Muzeun Picasso të Parisit.

Bashkëpunimi i stilistit 76-vjeçar me muzeun vjen pasi institucioni shënon 50 vjetorin e vdekjes së artistit franko-spanjoll.

I njohur për dizajnet ikonë shumëngjyrëshe si vijat dhe majmunët e tij, Smith konceptoi sfonde me modele dhe tekstura që të kujtojnë veprat e Picasso-s, duke i bërë ato të shfaqen në një mënyrë moderne dhe lozonjare.

Pjatat e gjalla qeramike të artistit të lindur në Malaga janë të vendosura kundër pjatave industriale të bardha, ndërsa vepra të njohura nga periudha e kubizmit të Picasso si “Portreti i Dora Maar” dhe “Busti i gruas me kapelë me vija” varen nga muret me vija vertikale me blu dhe tonet e verdha që shkojnë me pikturat.

“Ideja ishte që thjesht të përpiqeshim ta tregonim veprën kudo që të ishte e mundur, në grupe kubizmi, periudha blu ose kronologjikisht në disa raste, dhe më pas t’i jepnim një frymë të re.”

Ekspozita u zhvillua gjatë katër viteve të fundit, me Smith duke marrë frymëzim nga koleksioni i Muzeut Picasso prej rreth 200 mijë pjesë.

“Unë mendoj se është një ekspozitë mjaft optimiste dhe të sjell një lumturi. Është shumë ngjyrëshe. Mendoj se të shohësh një ekspozitë të një artisti që ndërroi jetë para 50 vitesh dhe të emocionohesh edhe këto ditë, është me të vërtetë diçka e bukur.”

Ekspozita do të zgjasë nga 7 Marsi deri më 27 Gusht dhe përmban 152 piktura, skulptura dhe kolazhe të Picasso-s. / Klan News / KultPlus.com

Të ngjajshme