2 Tetor, 2019 - 9:01 am
Një pasuri e tre breza artistësh të familjes Buza, Abdurrahimit, Kujtimit dhe Sokolit, duhet inventarizuar, për të kaluar më pas në mundësinë e muzealizimit të studios dhe hapjes së saj për publikun.
Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë vizitës në studion e piktorëve, ku u takua me djalin e Abdurrahim Buzës, Kujtimin.
“‘Në vitet ’30 ai nisi të pikturojë portrete me ngjyrat e luleve’. Kështu tregon Kujtimi për të atin, Abdurrahim Buzën, gjakovarin që zgjodhi Tiranën për të jetuar e punuar. Ishim sot në studion e piktorëve Buza: Abdurrahimit, Kujtimit e Sokolit. Tre breza artistësh, që ruajnë me fanatizëm një koleksion të jashtëzakonshëm veprash në pikturë, por edhe mijëra vizatime’”, shprehet Margariti.
Ministrja thekson se “është një pasuri që duhet inventarizuar, për të kaluar më pas në mundësinë e muzealizimit të studios dhe hapjes së saj për publikun”.
“Tirana ka nevojë për të tilla pika referimi”, shton ministrja.
Abdurrahim Buza, një nga emrat më të njohur të artit shqiptar të shek. XX, ishte një nga themeluesit e shkollës së parë të vizatimit në Tiranë në vitin 1933. Punoi në shkollën teknike “Harry Fultz”, në gjimnazin e Tiranës, në gjimnazin “Qemal Stafa”, në Liceun artistik “Jordan Misja”. Në vitin 1960 fitoi titullin “Piktor i Merituar”, ndërsa në vitin 1978 fitoi titullin “Piktor i Popullit”. Ai ishte piktori i parë që pikturoi nudon e parë nga natyra në Shqipëri. Abdurrahim Buza na ka lënë një fond të pasur me rreth 500 piktura dhe mijëra vizatime./ atsh / KultPlus.com