11 Nëntor, 2022 - 9:33 pm
Uranik Emini
“Detajet e bëjnë përsosmërinë, dhe përsosmëria nuk është një detaj.”
Detajet, janë në thelb fishekzjarrët në përfundim të një ngjarjeje; janë ato që mahnitin dhe u bëjnë përshtypje shikuesve të një vepre arti. Mbrëmë në ambientet e Paper Gallery ka gjallëruar fryma e një artisti madhështor sikurse Musë Prelvukaj, një artist i cili me mendjen e tij krijon art përmes “figuracionit të transformueshëm”, shkruan KultPlus.
Në një dhomë të vogël për nga madhësia, por të çmueshme për nga sasia e veprave që gjindeshin aty, njerëzit po mblidheshin për të pritur edhe hapjen e ekspozitës “Retrospektivë”.
Musë Prelvukaj i përket gjeneratës së parë që diplomoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës dhe këtë e vërejmë më së miri në teknikat e vizatimeve të ekspozuara. Përmes shprehjes së gjallë të vijave, dramaticitetit dhe elementeve analitike me shkronja dhe simbole artisti krijon figracione kompozicjonale të ndryshme të cilat e formojnë një imazh në tërësi.
Artisti u shpreh se ka nderin e veçantë që të paraqitet me këto punime përpara publikut dhe shprehi falënderime për “Paper Gallery” që ia ofroi këtë mundësi.
“Këtu të pranishëm kemi shumë artistë të rinj të cilët në të ardhmën mund të jenë pjesë e këtij vendi. Gazi më inkurajoi pasi kjo ekspozitë pas një viti do të bëjë edhe një udhëtim elektronik dhe pas tre viteve do të jetë edhe si katalog. Për mua do të jetë shumë e rëndësishme, pasi jam adhurues i dokumentacionit.
Ai shpjegon se në këtë ekspozitë janë të paraqitura vepra të para të tij dhe për këtë arsye e ka marr emrin kështu.
“Në këtë ekspozitë janë disa punime të mia të parat nëpër ekspozita të tjera, prandaj edhe e kam quajtur “retrospektivë”, derisa punimin ma të vjetër këtu e kam një afishe të vitit 1972, atëherë kur në lëndën “Elementet e Artit”, e kemi marrë si temë romanin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.
Punimet e tij, sipas Prelvukajt, kanë disa faza nëpër të cilat kalojnë, derisa ai thotë se është një adhurues i figuracionit.
“Punimet e mia i kanë disa faza, disa cikle, derisa unë personalisht jam adhurues i figuracionit, jo ashtu se si e shoh, por si e ndiej, e bëj një transformim. Kam motive nga vendlindja, por edhe nga pjesa urbane. U mundova që ndjenjat e mia t’ia ofroj publikut të gjërë dhe besoj që ai do të jetë më i merituari që t’i vlerësojë punimet”.
Në anën tjetër, Gaz Ejupi, si drejtor i Paper Gallery, njofton se qëllimi i tyre është promovimi i artit bashkëkohor.
“Paper Gallery ka filluar në vitin 2022 me qëllim që të promovojë artin bashkëkohor në mënyra dhe mediume të ndryshme të cilat kanë impakt në gjeneratat e reja që synon këtë art. Paper Gallery i ka dy programe, njëri që ka çdo 3 muaj ekspozita dhe tjetra që quhet “projects” që mbahet çdo muaj. Në këtë rast e kemi nderin që të kemi mysafir artistin e profesorin Musë Prelvukaj. Ai ka qenë personi që më ka njoftuar me Akademinë e Arteve, teknikat e grafikës, ku edhe kam filluar aty dhe vazhdoj të kontribouj”.
Artistja e njohur, Zake Prelvukaj, thotë për KultPlus se Musa është shumë i veçantë në stilin e tij.
“Musa ka qenë shumë para meje, por çdo vijë që ai ka punuar ka krijuar një ndjesi të jashtëzakonshme te unë. Ai ka qenë i butë dhe si një profesor për mua, gjithashtu asnjëherë nuk ka qenë temperament i rëndë, duke më thënë se po ia prek punimet, sa isha si fëmijë, ose diçka të ngjashme. Ndonjëherë mendoj se është shumë mirë që artisti si Musa të jetë fanatik për një figuracioni krijues, e jo figuracion statik. Pra, të ketë një figuracion kreativ e ta ruajë kohën”.
Ajo na rikthen në kohë edhe momentet e vështira që profesori ka pasur gjatë viteve të 90-ta, duke treguar se arti rikthehet te artisti.
“Musa natyrisht që i ka pasur edhe krizat e veta, unë isha shumë e rë në atë kohë e ajo krizë filloi ta thyej pak, por prapë se prapë një gjë e tillë nuk ndodhi. Musën e thirrë arti. Ai gjithmonë thotë se arti vlen, e nuk ka art të keq, por sipas tij arti është i mirë dhe sigurisht mund të jetë edhe art briliant. Ai është detajist e detajet që ai i ka janë shumë interesante, pasi i ka të krijuara nga mendja e tij dhe për këtë arsye ne quhemi krijues”, thotë ajo.
Derisa, në fund profesoresha Prelvukaj, beson fuqishëm që arti i Musës duhet të jetë i pranishëm edhe në Muzetë e ardhshëm të Kosovës, për të dëshmuar se ne kemi art të mirëfillt, si Kosovë.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për një muaj. /KultPlus.com