Veton Gusia i bën befasi nënës, i prezanton pikturat e saj dhe të tijat në një ekspozitë të vetme

21 Shkurt, 2020 - 11:19 am

Artisti Veton Gusia kishte zgjedhur Menzën “Ramiz Sadiku” për t’i bërë një befasi të këndshme nënës së tij. Pas një ndërprerje për disa vite, ai i kishte mbledhur fshehtas shumë piktura të nënës, dhe bashkë më të tijat kishte vendosur të krijonte një ekspozitë personale të titulluar “V&F Gusia”, shkruan KultPlus.

Menza ishte mbushur plot me njerëz, të cilët shikonin me vëmendje pikturat. Pikturat kishin zënë hapësirën duke i dhënë më shumë ngjyrë e bukuri.

Firdeze Gusia, e mendimit që kishte ardhur të shihte ekspozitën vetëm me pikturat e të birit, hyri dhe ende nuk mund ta kuptonte se çfarë po ndodhte.  Këto ishin fjalët e saj kur pa të ekspozuara edhe pikturat e saj:

 “S’mundem të besoj, nuk e kam pritur, as mendja nuk më ka shkuar. Është ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, është befasi e madhe për mua. Jam shumë e lumtur, sidomos edhe për Tonin, i cili pas një kohe të gjatë ka filluar të pikturojë prapë”, u shpreh ajo.

Ndërsa Vetoni tha se këtë ide e kishte pasur edhe më herët.  Ai tregoi për KultPlus se nga i kishte lindur ideja që të krijonte këtë ekspozitë.

Ne për një kohë të gjatë kemi jetuar jashtë, edhe kur jemi kthyer e kam parë nënën që filloi të pikturonte në një moshë goxha të avancuar. Ajo këtë vit i mbush 78 vjeç. Kualiteti i pikturave të saj ka qenë shumë i lartë, dhe unë këtë e shihja, e vëreja.  Duke kaluar vitet, pasioni i saj veç se rritej, pikturat çdo herë e më të bukura, kështu që vendosa ta bëj një ekspozitë personale, kinse veç për vete, në mënyrë që ta sillja edhe atë këtu“.

Frymëzimin për pikturat e tij e kishte marrë qysh në moshë të hershme.

“Qysh prej fëmijërisë, e kam dëgjuar nga gjyshi fjalën qafë gastare dhe më ka lënë gjithmonë përshtypje, edhe në shkollë të mesme pastaj, dhe pata filluar të bëj forma lëvizëse, femra me qafë të zgjatur, m’u kishte forcuar bindja sidomos kur pata shkuar në muze, pasi që Kosova është e mbushur me antikitete, dhe prezantimi i figurave zakonisht është me qafë të gjatë, nga këto edhe jam inspiruar“.

Ndërsa pikturat e nënës që Vetoni kishte zgjedhur t’i prezantojë mbrëmë, kishin të bëjnë të gjitha me frymëzimin e saj, e që ishte natyra.

Ajo madje u shpreh vetë se çdo gjë që lidhet me natyrën i bën përshtypje dhe e frymëzon edhe më shumë.  

“Unë e dua natyrën, askund nuk dal në qytet, por inspirimi im është natyra.  Nuk jam person urban, aspak, dhe çdo gjë që ka të bëjë me natyrën më pëlqen ta pikturoj“.

Artisti Gusia ka lëvizur në art, më shumë në abstraksion, por tashmë i është kthyer retros. Prej të gjitha stileve që i ka kapërcyer, i është kthyer 30 viteve të fundit.

Ekspozita përfundoi duke u përcjellë edhe me muzikë në një atmosferë të ngrohtë. / KultPlus.com

Të ngjajshme