22 Korrik, 2021 - 7:00 pm
Niçe, tha një herë: “Në dashuri ka gjithmonë një grimcë çmendurie, siç ka gjithmonë një grimcë logjike në çmenduri”.
S’do mend që kishte të drejtë, pasi gjithnjë hasim vështirësi në identifikimin e caqeve në aspekte të shumta të jetës njerëzore. Ku mbaron gjenialiteti dhe çmenduria? A na shtyn dashuria në çmenduri? Pse shumica e artistëve të mëdhenj ishin të pajisur me atë çuditshmëri, që shpesh rezultonte në sëmundje mendore? Le të sjellim ndërmend skizofreninë e Edvard Munch, autori i “Ulërima”, apo krizat paranojake të gjeniut Dali, të dy personalitete të shquara që gjetën në art shprehjen perfekte për demonët dhe mrekullitë e mendjeve të tyre të privilegjuara, por njëherazi të vuajtura. Fare pak artistë e kanë gjetur vërtet lumturinë në artin e tyre, aq më pak në kanavacën e rrugëtimit të jetës. Shembulli i Vinsent Van Gogut është absolutisht më i rëndësishmi.
Piktori modest, i cili nuk arriti kurrë famë në të gjallë, vuante nga sëmundje të ndryshme: epilepsi, sindroma Menier dhe psikoza maniako-depresive. Pati një jetë të shënuar nga dhimbja dhe vetmia, ku e vetmja dashuri e vërtetë ishte ajo e të vëllait, Teos. Një jetë e shkurtër dhe e trazuar, kryevepra që të lënë pa frymë nga bukuria dhe forca e shprehjes, të tilla janë të dhënat e mitit Van Gog. Njeri me temperament mistik, i përnjëhershëm në lartësim, si fetar, ashtu edhe estetik. Si piktura, edhe feja shfaqet në zemër të ekzistencës së Van Gogut, një ekzistencë shënuar nga ndjeshmëria dhe dhembshuria karshi të përulurve. Nisur nga ky këndvështrim, piktura e Van Gogut fiton lehtësisht një karakter shoqëror, dëshmues dhe empatik.
Vinsent Van Gogu lindi në Zundert, Hollandë, më 30 mars 1853 dhe vdiq në Auvers-sur-Oise më 29 korrik 1890. Një nga piktorët më të famshëm të të gjitha kohërave, me gati nëntëqind piktura, më shumë se njëmijë vizatime dhe skicat e panumërta të cilat mbanin firmën e tij. Gjithsesi, nuk ishin numrat që e bënin të madh, por ndjeshmëria e tij karakteristike. Lulediellit emblematike, veshi i prerë legjendar, prapëseprapë ai nuk u njoh në të gjallë dhe konsiderohej si dështak. Imagjinoni një botë pa “Lulediellit”, apo “Nata me yje”?
Botë gati inekzistente.
Fillimisht, Van Gogu ishte i destinuar për priftërinë dhe punoi si predikues laik në rajonin e Borinage të Belgjikës. Kur u pushua nga puna, vendosi që e ardhmja e tij do të lidhej me pikturën. Van Gogu filloi të pikturonte veçse në moshën 27-vjeçare dhe nuk ndoqi asnjë seancë mësimore. Gjeniu kishte aftësinë të hidhte në telajo ndjenjat që përjetonte, duke përzier ngjyrat me penelatat e fuqishme. Jeta e tij karakterizohej nga vetmia dhe dhimbja, çrregullimet mendore dhe izolimi, çka i konsumonin mundësinë e një jete të lumtur. Mirëpo, fuqia piktoreske është edhe falë këtyre mundimeve, që e shoqëruan përgjatë tridhjetë e shtatë viteve të jetës së tij të shkurtër. “Kur vështroj yjet gjithmonë më fut në ëndërrime […] a nuk mund ta marrim vdekjen për të shkuar te një yll?”.
Letrat që Van Gogu i shkroi Teos (të mbledhura në librin “Letra për Teon”) janë një dëshmi e gjallë e ndjeshmërisë së pabesueshme të piktorit. Marrëdhënia me të vëllanë ishte mbase më autentikja e jetës së tij. “Kështu kalon jeta, koha nuk kthehet. Por unë jam i paepur në punën time […]. Sidomos në rastin tim, ku një krizë më e fortë mund të më shkatërrojë aftësinë për të pikturuar njëherë e përgjithmonë. Gjatë krizës, ndjehem frikacak me ankth dhe vuajtje – më frikacak se sa do të kishte kuptim të ndjeja”. Dhimbja dhe mundimi që gllabëroi piktorin del qartë në letra: “Do të doja të të shkruaja shumë gjëra, por e ndiej të padobishme”. Për rrjedhojë, ndjenjat u rikrijuan me penel. Piktura më e famshme është “Fusha e grurit me fluturimin e sorrave”, 1890, ku e verdha e shndritshme dhe e gjallë e grurit takohet me qiellin e zymtë të mbushur me sorra të zeza kërcënuese. Kanavacë që paralajmëronte fundin e artistit, që pikturoi me lot zemre. Burimet e frymëzimit të Van Gogut janë të larmishme, ato përfshijnë pikturën e zhanrit holandez dhe piktura realiste nga Millet apo bashkëkohësit, por u influencua shumë edhe nga gdhendjet e drurit japonez. Madje, bëri edhe kopje, duke ruajtur stilin shumë ekspresiv dhe idiosinkratik, të gdhendjeve nga Hiroshige, Kesai Eisen etj.
Edhe pse punoi vetëm 10 vjet, nga 27-37 vjeç, Van Gogu qe jashtëzakonisht i frytshëm, duke prodhuar mbi 900 piktura dhe shumë vizatime dhe skica, të cilat barazohen me një vepër të re çdo 36 orë. Përveç krijimit të qindra pikturave, shkroi thuajse po aq letra dhe kartolina, të cilat përfshinin skicat e para të disa prej kryeveprave më të famshme.
Gjeniu kishte marrëdhënie të ngushta me piktorin Paul Gauguin. Madje, Van Gogu, Gauguin dhe Emile Bernard planifikuan të formonin një komunitet të ngushtë artistësh në jug të Francës, ku synonin të jetonin dhe të pikturonin së bashku. Me nxitjen e Van Gogut, tre artistët shkëmbyen autoportrete. Kur pikturoi të famshmen “Nata me yje”, nuk mendoi aspak për të. Në fakt, e konsideronte veten dështak, kurse shumë prej pikturave si dështime, aq sa thashethemet thonë se shiti vetëm një pikturë gjatë jetës. Sikur të ktheheshim në kohë dhe t’i tregonim se sa i famshëm do të ishte mbi 150-vjet më vonë!
Van Gogu preu veshin në 1888, por a e dini pse? Rrethanat nuk dihen saktë, por mjaft ekspertë besojnë se ngjarja ndodhi pas një debati të ashpër me kolegun, piktorin Paul Gauguin në Shtëpinë e verdhë në Arles.
Van Gogu vuante nga çrregullimet mendore, aq sa në prill 1889, shkoi vullnetarisht në spitalin psikiatrik Saint-Paul-de-Mausole, në Saint-Remy, ku qëndroi për një vit. Disa prej pikturave më të njohura i pikturoi nga dritarja e spitalit, përfshi “Nata me yje”. Pasi la azilin, u vendos në Auvers, një fshat afër Parisit, për të qenë pranë të vëllait, Teos. Mirëpo, shëndeti mendor vazhdoi të përkeqësohej dhe, më 29 korrik 1890, ai u vetëvra. Vdiq dy ditë më vonë, duke i drejtuar të vëllait fjalët: “mjerimi nuk do të mbarojë kurrë”./ Konica.al / KultPlus.com