5 Dhjetor, 2022 - 10:14 am
Që nga data 10 nëntor deri më datën 10 dhjetor në “Paper Galery” në Prishtinë, përmes një retrospektivë simbolike, që shfaq harkun e një gjysmë shekulli, na prezantohet prirja krijuese e evoluuese vizatimit artistik e pedagogut e artistit të mirënjohur Musë Prelvukaj
Musë Prelvukaj është njëri nga studentët e gjeneratës së parë që diplomuan në Akademinë e arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, që pas vetës ka një përvojë të gjatë krijuese e pedagogjike në fushën e artit figurativ. Këtë parabolë rikujtimi na e nxiti ta bëjmë ekspozita e hapur në “Paper Galery”, një hapësirë modeste ekspozuese, ku u ekspozuan një mori veprash në zhanrin e vizatimit, njërit nga vokacionet me autentike të këtij krijuesi, që i qëndron besnik vizatimit dhe formave grafike krijuese, që ishte edhe baza e tij studimore të profesori i mirënjohur Fatmir Krypa. Në formimin e tij krijues gjithsesi vërehen edhe elemente të sublimura e të transponuara kreative edhe të artit të Gjelosh Gjokajt, Muslim Mulliqi, që ishin ndër pedagogët e parë që kontribuuan në formimin e berëzave të tërë krijues në Kosovë, pa mos e harruar edhe surrealizmin e Dalit.
Çfarë mund vërejmë ne këtë retrospektivë, më shumë simbolike, është se, edhe pse në një hark të gjerë kohor, veprat e krijuara shquhen për një tematikë të larmishme dhe të veçantë, të trajtuar edhe më një shprehje artistike figurative, që e ruan dhe e dëshmon bindshëm evoluimin krijues, pa kërcime, që do të mund të zgjonin ndonjë mëdyshje, apo luhatje jo bindëse në shprehjen dhe qasjen artistike Përkundrazi. në të gjitha veprat e ekspozuara, vizatimet artistike, vërehet një dorë krijuesi. Kjo na bënë të themi se individualiteti i Musë Prelvuakaj është i krijuar me një kontinentet estetik, që vulos afinitetin dhe gjuhen e tij figurative. Ajo përshkohet si ind, si një ndjeshmëri e formësuar dhe tipike, sidomos në mënyrën e konceptimit figurativ kompozicional, atëherë kur trajton botën shqiptare, njeriun e nën qiellit tonë, dramën e madhe dhe mbijetesën në mote, jetën e bujshme të ndërlidhur me botën njerëzore, shtazore, florën e faunën.
Figuracioni që ndërlidhet me tematiken e larmishme është i kërkuar, simbolik dhe metaforik dhe vizualizohet ne hapësirën metafizike e surreale, duke pasur për pikëmbështetje figuracionin të trajtuar me një ndjeshmëri të theksuar vizatimi të detajuar, duke futur brenda hapësirës një emocionalitet dramatik, dhe të përjetuar thellë. Kjo atmosferë dramatike zbërthehet me dritëhijet e kërkuara grafike, duke kapur jehonat e moteve, që ndërlidhën edhe më epikën legjendare shqiptare, me lashtësinë njerëzore.
Përjashtim bënë të themi kopertina, ose pllakati që i dedikohet veprës së Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” , më e vogël në format, që në aranzhimin ekspozues e zë një ballë të tërë muri, mbase duke dashur ta veçojë për t’ i dhënë peshë, por megjithatë disi kërcen dhe del nga koncepti i ekspozitës retrospektive, që për synim ka pasur prezantimin e prirjes vizatimore të Musë Prelvukajt pra trajtimit kreativ të vizatimit artistik që do jë mund të plotësoj kriteret e një vepre të mirëfilltë, dhe në këtë vazhdë edhe hulumtimin studimor për mbindërtime kreative krijuese në fushën e grafikës dhe pikturës.
Ky prezantim simpatik dhe modest nga opusi i gjerë i këtij autori na rikujton bukur praninë e Musë Prelvukajt me veprat që i qëndrojnë kohës dhe provokojnë prore për një komunikim dhe interpretim të shumanshëm, pikërisht për shumësinë e qasjeve dhe kuptimsisë simbolike, metaforike e surreale të gjuhës së tij figurative. / Nga Arsim Kajtazi / KultPlus.com