17 Maj, 2022 - 7:00 pm
Një vizatim i mahnitshëm, me dorën e Mikelanxhelos (1475-1564) është gjithashtu, i fundit që ka mbetur ende pronësi private. Kjo është arsyeja pse ankandi i “Christie’s” që do të mbahet nesër në Paris, është event tepër i madh. Protagonist absolut: Një i ri nudo (nga Masaccio) i rrethuar nga dy figura, një vizatim i bërë në fillim të karrierës së tij, që do të dalë në shitje me një vlerësim fillestar prej 30 milionë euro.
“Është një vepër jashtëzakonisht e rrallë, një nga vizatimet e pakta të Mikelanxhelos, ende pronë private”, – specifikon nga shtëpia e ankandit “Christie’s”, që do ta prezantojë veprën si top-lotin e katalogut “Maîtres anciens et du XIXe siècle. Tableaux, dessins, scultures». (Mjeshtrat e vjetër dhe arti i shekullit të 19-të: piktura, vizatime dhe skulptura).
I ardhur nga një koleksion privat francez, vizatimi (33 x 20 cm) ishte shpallur “thesar kombëtar”, duke penguar fillimisht eksportin e tij nga Franca, për një periudhë 30-mujore. Qeveria franceze, kohët e fundit hoqi këtë pengesë dhe dha licencën, duke lejuar që dizajni të ofrohet pa kufizime, për koleksionistët në mbarë botën. Para shitjes në Paris, vizatimi i Mikelanxhelos do të ekspozohet në Hong-Kong dhe Nju Jork.
Njohur në 2019, si “e Mikelanxhelos”
Vepra u njoh për herë të parë, si “e Mikelanxhelos”, më 2019, nga Furio Rinaldi, atëherë specialist pranë departamentit e vizatimeve antike për “Christie’s”.
Paul Joannides, profesor emeritus i historisë së artit në Kembrixh dhe autor i katalogëve të plotë me vizatime nga Mikelanxhelo dhe shkollës së tij, në muzeun “Ashmolean” në Oksford dhe në Luvër, më pas ishte në gjendje të studionte origjinalin dhe të arrinte t’ia atribuonte atij.
I shitur në vitin 1907, në “Hôtel Drouot” në Paris, si një vepër e shkollës së Mikelanxhelos, vizatimi i kishte shpëtuar vëmendjes së studiuesve, deri në rizbulimin e tij të fundit. (Ky vizatim, është ndoshta studimi i parë nudo që ka mbetur nga artisti).
Modelet e frymëzuara nga Masaccio
Figura qendrore e veprës riprodhon njeriun që dridhet të përshkruar në “Pagëzimin e Neofitëve”, një nga afresket e famshme në kapelën “Brancacci” të kishës së “Santa Maria del Carmine” në Firence, nga mjeshtri i parë italian i Rilindjes, Masaccio (1401-1428).
Disa studime të tjera të Mikelanxhelos, të frymëzuara nga Masaccio janë të njohura, duke përfshirë një vizatim në “Staatliche Graphische Sammlung” në Mynih dhe një në “Albertina” në Vjenë, si dhe një vizatim i frymëzuar nga një afresk nga Giotto, në Louver.
Duke përdorur dy nuanca të kafes, Mikelanxhelo e bën të tijën figurën e Masaccio-s, duke rritur muskulaturën e njeriut dhe duke krijuar një figurë më të fuqishme dhe më të ngjeshur, që lajmëron paraqitjet e tij më të famshme të trupit të njeriut, siç është “Davidi” monumental në mermer, në “Galleria dell’Accademia di Firenze” dhe “Dy skllevërit”, në Louver.
Në një stil krejtësisht të ndryshëm dhe më energjik, Mikelanxhelo, më vonë shtoi dy figura, pas “burrit që dridhej”, që nuk kishin lidhje me kompozimin e parë, nga Masaccio.
Kryeveprat e mëparshme: nga Raffaello te Leonardo
Shitja e këtij vizatimi të ruajtur mirë, nga Mikelanxhelo, zë vend në radhët e veprave të tjera të shkëlqyera në letër, ofruar në ankand nga “Christie’s” vitet e fundit, duke përfshirë “Koka e muzës” nga Raffaello, që është shitur në Londër, për më shumë se 29 milionë pound, në dhjetor 2009; “Koka e ariut” e Leonardo da Vinçit, që arriti gati 9 milionë pound në 2021; një studim i rrallë nudo mashkullor, nga Mikelanxhelo u shit në Londër, më 4 korrik 2000, për më shumë se 8 milionë paund, duke thyer rekordin botëror për një vepër të artistit.
Stijn Alsteens, kreu i Departamentit Ndërkombëtar të Vizatimeve Antike, konstatoi për “Christie’s”: “Që prej zbulimit të një vizatimi nga Mikelanxhelo, në vitin 2001, në “Castle Howard”, tani në muzeun “J. Paul Getty” në Los Anxhelos, nuk është rishfaqur kurrë më parë në ankand, një vizatim i panjohur, me një bukuri dhe rëndësi më të madhe, nga një prej figurave më të mëdha të historisë së artit. Vizatimi është ndër më të mirët, mes më pak se dhjetë veprat në letër të Mikelanxhelos, ende pronë private dhe do të bëhet një gur prove, për çdo diskutim të pjesës së hershme të karrierës së gjatë të artistit. Me shumë krenari, e sjellim në treg, këtë vizatim tashmë të njohur plotësisht si vepër e mjeshtrit, pas daljes së fundit, më shumë se një shekull më parë”./konica.al/ KultPlus.com