15 Korrik, 2019 - 11:45 am
Kur modernia bashkëvepron me antiken shpesh rrezikon të mos realizohet në mënyrën më të mirë. Bashkëveprime të tilla gjejmë në pikturë, në grafikë e shumë shpesh edhe në veshje. Këtë realizim së fundi e ka bërë një disenjatore, veshjet e së cilës nuk kanë dështuar së paraqituri motivet e bukura të tradicionales mbi ato të modernes, shkruan KultPlus.
Është kjo Saime Buleshkaj e cila ka filluar të merret me dizajnin e modës qysh në moshën 13 vjeçare ku më pas vazhdoi të merret me dizajnin si profesion, duke ndjekur kurse të ndryshme të rrobaqepësisë e më pas edhe studimet në fushën e Dizajnit të Modës. Ka punuar për shtëpi mode dhe dizajnerë të njohur të vendit.
Këtë vit, Saime Buleshkaj ka hyrë në tregun e modës me një stil më të veçantë, ku për bazë ka motivet tradicionale. Disenjatorja për KultPlus potencoi se ideja pse ka vendosur që në veshjet e saj moderne të ketë motive tradicionale ka ardhur si dëshirë për të paraqitur diçka nga rrënjët tona, nga kultura jonë si komb, në mënyrë që vlerat tona të përditësohen përmes modernizmit të tyre në veshjen formale.
Ky është koleksioni i parë i Saimes, koleksion ky që e ka emëruar “Valuable” që në shqip do të thotë “Vlerë”, përmes të cilit solli siluetat e fustaneve, jelekët e deri te qëndisja e detajeve të cilat vijnë nga periudha e të parëve tanë.
Sipas saj, këto veshje janë pritur mjaft mirë, ajo u shpreh se: “E kanë mirëpritur shumë këtë koleksion dhe si duket kam prekur një pikë që kishte qenë shumë e nevojshme për kohën. Pasi që disa prej këtyre veshjeve mund të vishen edhe të ndara dhe jo vetëm për raste formale e më pas të përfundojnë dollapëve si të pa vlera”.
Poashtu, disenjatorja ka potencuar se do të vazhdoj të trajtoj këto motive edhe në të ardhmen përmes koleksioneve të tjera.
“Ka qenë shumë e vështirë sigurimi i materialeve të tilla, mirëpo në momentin që i kam pasur në dorë materialet, me punë dhe përkushtim ia kam dal të realizoj atë që kam pasur në plan”. pohoi Saime Buleshkaj. / Xh. Hysenaj /KultPlus.com