30 Nëntor, 2023 - 1:26 pm
Agjencia Kombëtare e Turizmit informoi se sot është dita e fundit për të konkurruar në Konkursin e parë Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels, “Wanderlust in Albania”.
Konkurrimi ka nisur prej datës 20 nëntor në 10 kategori, me tematika të ndryshme: 1.Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare); 2. Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistikë); 3. Monumente & site arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatër, muze dhe site arkeologjikë ose të ruajtur nga UNESCO); 4. Folklor (etnografi, valle, ritual, traditë); 5. Artizanati & Zejtaria; 6. Agroturizëm & Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm); 7. Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, evente artistike, ekspozita etj); 8. Turizmi sportiv & Ekoturizmi (hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm, flora & fauna, shtigje, parqe); 9. Arkitekturë (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe e re urbane); 10. Fotoreportazh (fotolajm, që rrëfen ngjarje nga jeta).
Fotografët profesionistë dhe të pasionuarit pas fotove e videove artistike e dokumentare mund t’i dërgojnë punimet e tyre më të mira , me imazhe origjinale, autentike, me rezolucionin e duhur për printim dhe përdorim digjital sipas të gjitha kritereve teknike, artistike e etike.
Në këtë konkurs përmes një jurie me ekspertë do të zgjidhen 300 fotografitë dhe 100 videot reels më të bukura nga Shqipëria turistike, me imazhe që frymëzojnë udhëtimet dhe turizmin, për të pasuruar fondin arkivor të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, si promovuesja kryesore e natyrës së rrallë, traditës, kulturës, artit e historisë shqiptare, për cilindo që dëshiron të vizitojë Shqipërinë.
Pjesëmarrësit në këtë konkurs ndërkombëtar kanë mundësinë të çlirojnë kreativitetin dhe të përcjellin emocionet e magjisë shqiptare dhe të fitojnë edhe çmime speciale.
Ky konkurs do të ketë dy forma votimi, ku do të përzgjidhen 10 fotografitë dhe 10 videot reels më të bukura për secilën kategori përmes një jurie profesionistësh dhe 2 çmime nga votimi online, për fotografinë dhe videon reels më të mirë nga sytë e publikut, votim që do të kryhet në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Turizmit (Visit Albania) në Facebook.
Shpallja e fituesve të konkursit do të realizohet në një mbrëmje gala në 12 dhjetor./ atsh / KultPlus.com