20 Shtator, 2019 - 6:00 pm
Perino & Vele – Western Promises është ekspozita e parë personale e dyshes së famshme të skulptorëve italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele, e cila u hap në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, dy artistë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare, dy artistë me ndjeshmëri shoqërore.
“Ishte ky mesazh social, ky angazhim artistik i veçantë që na shtyu të ndërmarrim këtë ekspozitë të rëndësishme dhe krejt unike në COD”- u shpreh Eridana Çano, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.
Ekspozita, e cila përfshin një përzgjedhje të disa prej veprave më domethënëse të dyshes, kurohet nga Gaetano Centrone dhe Genti Gjikola.
Si dy artistë origjinalë të interpretimit të bashkëkohores, Perino & Vele e kanë imponuar veten që nga fillimi i karrierës së tyre (nga fundi i viteve 1990-të), me stilin e tyre unik dhe të mirëpërcaktuar, si dhe me gjuhën shprehëse artistike që merr shumë si nga skena urbane e epokës sonë ashtu dhe nga tradita e madhe kulturore italiane dhe mesdhetare.
“Falë “Western Promises” ne mund të aspirojmë të kemi një vizion të qartë për veten tone, si individë dhe për veten tonë si një pjese e komunitetit. Perino&Vele, kjo dyshe përcjell artistikisht angazhimin e tyre edhe si nje ndërgjegjje civile dhe shoqërore”- u shpreh më tej në fjalën e saj, Eridana Çano.
Në veprat e Perino & Vele, në fakt, nuk është e pazakontë të lexosh përmes veprës dhimbje dhe ankthe ekstremisht të hidhura, të fshehura pas një armature ironie, humori dhe sarkazme që e ngacmojnë publikun.
Në ekspozitë prezantohet edhe vepra Pelle d’elefante (1998), të cilën Harald Szeemann e zgjodhi për Bienalen e 48-të të Venecias në 1999; vepra në fjalë është një skulpturë e ‘banueshme’ e cila formohet nga një lëkurë elefanti, sipas teknikës ‘papiermashe’, stilizuar si tapet, ndërsa mbi të janë vendosur dy kolltuqe hekuri krejtësisht të parehatshme. Ëndrrat e mëdha të luksit dhe mirëqenies së botës perëndimore zbulohen para publikut për ato që vërtetë janë: premtime të rreme dhe të pamenduara që rezultojnë të bazuara në shtypje dhe mizori.
Konformizmi shtyp dhe përplas idetë. Artistët, përmes kësaj teknike kthejnë mbrapsht modelin e mendimit dhe na ripropozojnë materialet si objekte arti që përshkruajnë jo vetëm forma dhe objekte të estetikës të zakonshme, por gjithashtu paraqiten edhe si relike të brishtësisë njerëzore dhe debulesave sociale.
Ekspozita do të jetë e hapur në COD nga 19 shtatori deri më 31 tetor 2019, bazuar në orarin zyrtar të COD (hyrja falas). /KultPlus.com