29 Gusht, 2020 - 7:00 pm
Gjonaj ekskluzivisht për KultPlus ka treguar për rrugëtimin e tij prej Pejës e deri në Tajlandë, për të perfeksionuar punën e një mjeshtri të madh të gurëve të çmuar. Tashti edhe me brendin e tij Dionid, ai prezanton stoli me çmime marramendëse, që arrijnë edhe në miliona. Stolitë e tij tashmë kanë pronarë të ndryshëm, prej pallateve mbretërore e deri te yjet e showbizit. Të punuara me gurët Jade dhe Grandidier, Gjonaj është në prag të bashkëpunimit të promovimit të stolive edhe me Rita Orën, sikurse që synon të ketë të njëjtin bashkëpunim edhe me yjet tjerë shqiptarë. Por Gjonaj, duke mos harruar rrënjët shqiptare, në këtë intervistë të dhënë për KultPlus ka treguar edhe për mënyrën se si do t’ia prezantojë botës, Kosovën dhe Shqipërinë.
Ardianë Pajaziti
Në vitin 1985 kishte marr një vendim të madh, dashuria për gurët e çmuar ishte më e madhe se sa toka ku jetonte, dhe atë kohë, vendosi ta kapërcente edhe Evropën dhe të ndalej në Tajlandë, për të rrumbullakuar dëshirën e tij për stolitë.
Dhe suksesi i tij tash e për tridhjetë vjet nuk perceptohet vetëm me dashurinë e tij për gurët e çmuar, por edhe për përkushtimin dhe sakrificën që i ka kushtuar këtij profesioni, që ndërlidhë formimin e tij profesional në një lëvizje gjeografike: Pejë, Tajlandë, Çeki e Sllovaki.
Xhevdet Gjonaj konsiderohet të jetë një ndër shqiptarët e rrallë që merren me këtë profesion, i cili gurët e çmuar i formëson në stoli unike, në kuadër të brendit Dionid, e që mund të blihen vetëm nga një shtresë e caktuar e shoqërisë.
Gurët Jade dhe Grandidier janë gurë identifikues të artistit Gjonaj, i cili tashmë ka sjellë shumë stoli për tregun ndërkombëtar, e që është duke punuar në vazhdimësi që të sjell edhe stoli të tjera.
I diplomuar në Tajlandë, gjeologu Gjonaj për herë të parë përgjatë karrierës së tij flet për një medium shqiptar, i cili për tridhjetë vite ishte zhytur në guacën e gurëve të çmuar, për të sjell këtë brend kaq të rëndësishëm.
“Dashuria ime për gurët e çmuar është zhvilluar gradualisht”, ka thënë fillimisht Gjonaj për KultPlus, i cili tregon se kur ka marr diplomën për gjeologji në Tajlandë, i është forcuar bindja se kjo është puna që duhet ta bëj në maksimum.
Gjonaj i cili konsiderohet si një ndër argjendarët më me përvojë, ka shpjeguar se pikërisht përvoja tridhjetëvjeçare ka bërë që këtë vit të kapërcejë në një tjetër nivel, duke prezantuar stolitë e tij nëpërmjet brendit Dionid.
“Marka e argjendarisë Dionid është rezultat i punës së ndershme të argjendarive, gurgdhendësve dhe gjeologëve nga vende të ndryshme të botës. Sot, ne e profilizojmë veten si një markë evropiane e stoli të larta, pra bizhuteri prestigjioze të artit dhe objekte që nuk janë për të gjithë. Ato janë vetëm për të zgjedhurit”, ka thënë Gjonaj për KultPlus, i cili ka shtuar se mu për faktin se çdo stoli e këtij brendi është unike, atëherë edhe secila prej tyre ka emrin përkatës.
Eros, Oliver, Iris, Helen, Morpheus, Andromeda…, janë disa nga emrat e stolive të brendit të Gjonaj, që të mahnitin me bukuritë e tyre, por që të njëjtën kohë kanë edhe çmime të larta. Stolitë e këtij brendi kapin vlerën e milionave, pasi në një stoli të tillë ke një gurë të çmueshëm, një gurgdhendje mjeshtërore dhe një stoli unike.
“Çdo copë bizhuterie nga DIONID Jewellery është unike. Të gjithë kanë historinë e tyre, dhe për këtë arsye të gjithë kanë emrin e tyre. Gurët e çmuar me të cilët punojmë janë më të vjetër se çdo vepër arti në Tokë”, ka thënë Gjonaj, i cili tregon se bizhuteritë që në të njëjtën kohë edhe promovuan brendin Dionid, u emëruan sipas perëndive dhe heronjve antikë.
“Këto figura mitike pasqyrojnë në mënyrë të përsosur hyjninë e bizhuterisë që krijojmë”, ka thënë Gjonaj, i cili nuk përjashton mundësinë që në një të ardhme të afërt të prezantojë stoli me gurë të çmuar me emra që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, dhe në muajt në vijim do të prezantojmë stolitë unike që do të kenë ndërlidhje me historinë e kombit dhe vendlindjes sime”, ka thënë Gjonaj.
Mjeshtri i gurëve të çmuar që stolitë e tij i ka prezantuar edhe nëpërmjet platformës Dionid dhe rrjeteve sociale tregon se brendi i tij është brendi i vetëm në Evropë që punon bizhuteri të shtrenjta me Jade dhe Grandidier, sikurse edhe me objekte arti.
“Është një gur që është shumë i popullarizuar, sidomos në vendet aziatike, ku i atribuohet gjithashtu shërimi dhe vetitë shpirtërore. Përveç kësaj, ne bëjmë bizhuteri nga emeraldet, rubin, topaz, tanzanite dhe shumë gurë të tjerë, gjithashtu një nga gurët më të shtrenjtë dhe më të rrallë në botë, grandidierit. Të gjithë gurët tanë janë 100% natyralë dhe të certifikuar nga institutet prestigjioze gjeologjike, siç është Gübelin Gem Lab në Zvicër”, ka thënë Gjonaj.
Pejani që ka kapërcyer shumë kufij për të arrite majën e mjeshtërisë së këtij profesioni e pranon faktin se vlera e stolive të këtij brendi është mjaftë e lartë, pasi që vet gurët që përdoren në këto stoli kanë çmime të larta. Por ai shpjegon se vlera e vërtetë e gurit fitohet vetëm pas një përpunimi profesional, prerjes dhe lustrimit.
“Prerja dhe gravura e një guri te çmuar me një dorë të lirë është shumë e vështirë. Guri mund të prishet edhe me një hezitim të lehtë dhe një lëvizje të pasaktë të duarve, kështu që do të zhvlerësohet plotësisht. Është një artizanat profesional që kërkon shumë përvojë dhe sigurisht talent nga Zoti. Kjo është arsyeja pse çmimet e disa prej produkteve tona të artit janë në miliona euro”, ka thënë Gjonaj, i cili duke mos përmendur emra, ka thënë se stolitë e tij tashmë janë blerë nga familje mbretërore, përfaqësues të lartë të shteteve, por edhe yje të show bizit.
Gjonaj ka thënë se stolitë e tyre mund të shihen edhe në një ekspozitë, pasi që për këtë çështje janë në kontakt me njerëzit më profesionist të kësaj industrie.
Por duke pas parasysh rrënjët shqiptare të Xhevdet Gjonajt dhe shumë yjeve shqiptare anekënd botës, Gjonaj në pyetjen se nëse do të ketë një bashkëpunim të promovimit të brendit të tij me yjet shqiptare, ka thënë se tashmë është duke punuar në këtë drejtim.
“Sigurisht, do të dëshiroja shumë të krijoja një copë bizhuteri unike për të famshëm nga Shqipëria, Kosova apo diaspora. Ne jemi në kontakt direkt me këngëtaren e mirënjohur Rita Ora dhe besoj në bashkëpunimin tonë të mundshëm. Mund t’ju them se ne kemi folur tashmë për këtë temë së bashku”, ka thënë Gjonaj.
Dhe pikërisht ndjeshmërisë së krijimit të stolive unike, edhe shitja e këtyre bizhuterive ka një disiplinë shumë specifike. Gjonaj shpjegon se klientët e tyre janë jashtëzakonisht të kërkuar, dhe kjo është një arsye se pse i adaptojnë shërbimet në përputhje me rrethanat. “Shumica e tyre janë prezantime dhe shitje të produkteve personale, por disa prej bizhuterive tona mund të blihen edhe në internet. Ne aktualisht komunikojmë kryesisht në mjedisin digjital, ku përdorim pothuajse të gjitha rrjetet sociale. Nuk përjashtoj që ju të na shihni në të ardhmen off media. Sigurisht, nëse kjo ka kuptim”, ka thënë Gjonaj, i cili në përfundim e sipër të kësaj bisede me KultPlus, ka thënë se ai e themeloi markën Dionid, si një lidhje që dëshiron ta lë pas. “Si trashëgimi arti dhe vlere mineralogjike me prejardhje nga Kosova. Uroj që Dionid të jetë në fuqi të plotë, sot e 200 vjet. Uroj që klientët dhe punonjësit të jenë të kënaqur. Uroj që rezultatet e punës sime të jetojnë përgjithmonë, sepse gurët e çmuar janë dhuratë nga Zoti, që i krijoi për ne që përfundimisht të kalojnë në duart e njerëzve si stoli”./ KultPlus.com