14 Gusht, 2018 - 8:45 pm
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë organizon ekspozitën e artistit pamor Yll Xhaferi të titulluar “Scrolling” që do të mbahet më 15 gusht në ora 19.00.
Artisti Xhaferi do të krijoj harta personale imagjinare, përmes një koleksioni të punimeve artistike (Ilustrime) si reflektim ndaj ndikimit të jetës urbane në identitetin personal apo subjektiv dhe interaksionin e tyre me të përbashkëtën (Kolektiven). Ekspozita do të portretizojë një udhëtim në historinë narrative të qytetit të ndërthurur me memorien e tij kolektive dhe psikologjike, përballë një individi të konfuzuar dhe kompleks dhe përpjekjet e tij për monumentalizuar këto memorie.
Yll Xhaferi është artist vizuel nga Prishtina. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka përfunduar studimet për master në drejtimin e Arteve Pamore. Xhaferi është fitues i çmimit Artistët e së Nesërmes nga Galeria Kombëtare në vitin 2012 dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme të artit vizuel në qytet p.sh. Prishtina Mon Amour në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Livrit – (si pjesë e SURF, kuruar nga Erzen Shkololli, Bienale Meditterana, Milano dhe Tirana dhe ekspozita e tij personale e titulluar Toy Story në galerinë e artit Motrat.
Ekspozita do të shoqërohet nga një koktej i vogël në EUICC Prishtina. / KultPlus.com