24 Shkurt, 2018 - 2:57 pm
Hapësira ekspozuese “Motrat” vazhdon të sjellë ekspozita të artistëve të ndryshëm kosovarë.
Kësaj radhe, me 1 mars prezantohet ekspozita e Yll Xhaferit, me titullin “Toy Story”.
Yll Xhaferi ka lindur në Prishtinë, është student në nivelin Master në Fakultetin e Arteve të Prishtinës.
Medium kryesor ka pikturën, por punon në mediume të ndryshme, kështu, duke eksploruar forma të ndryshme vizuele, me teknika të ndryshme. Është artist aktiv dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita, disa personale dhe kolektive.
Shumica e punëve të Yllit trajtojnë ndikimet e imponuara te transaksioneve sociale lokale, dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet artit, ironikisht tenton të qëndrojë i distancuar ndaj këtyre ndikimeve dhe të jetë pjesë e një konteksti më të gjerë kulturor. Gjithashtu, ai kërkon mbi estetikën duke iu referuar idesë së përfaqësimit me një identitet të caktuar kulturor.
Hapja e ekspozitës do të mbahet të enjten, 1 Mars, nga 19:00 deri në 21:30 në (Rrugën Shaban Polluzha, pas Teatrit Kombëtar), dhe do të shoqërohet me një koktej të vogël.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 30 Mars, nga e Hëna deri të Premten, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. / KultPlus.com