Ylli Sota krijon hartën e botës me mbi 26 mijë kokrra fasule (FOTO)

16 Nëntor, 2018 - 6:30 pm

E krijuar me 26 mijë e 200 kokrra fasule, harta politike e botës vjen tani në një version tjetër.

Për rreth 23 ditë, një mësues gjeografie në shkollën e Ndërnënasit në Njësinë Administrative Libofshë në Fier, ka punuar me kokrrat e fasuleve për të ndërtuar hartën politike të botës.

Ylli Sota, prej vitesh jep lëndën e gjeografisë në këtë shkollë, dhe e ka parë krijimin e kësaj harte si një mënyrë të veçantë dhe të rrallë, për të pasqyruar botën.

Ai pretendon se “kjo hartë është e para dhe e vetmja, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë”.

Për të promovuar këtë punë të mësuesit Sota, i cili në këtë nismë ka pasur pranë edhe nxënës të klasës së 8-të, e pranishme ka qenë edhe kreu i drejtorisë arsimore Fier si dhe mësuesit e gjeografisë të shkollave të qytetit të Fierit dhe të njësisë Libofshë.

Nga ana e Drejtorisë Arsimore Fier tashmë është krijuar edhe një kalendar, ku nxënës dhe mësues do të vijnë të shohin nga afër hartën politike të botës, e gjitha në fasule, një vepër e veçantë për nga përmasat dhe lloji. /KultPlus.com


Të ngjajshme