“Yllka Brada Bridal” bën diferencën, sjell koleksionin e munguar deri tani në Kosovë (FOTO)

19 Maj, 2020 - 4:00 pm


Jeta Zymberi

Të bësh diferencën nuk është e lehtë, por shpirtrat artistik dinë të befasojnë gjithmonë. Linja e re “Yllka Brada Bridal” që është destinuar ekskluzivisht për nuset, ka sjell një koleksion që shpërfaq një nuse ndryshe nga ato që jemi mësuar t’i shohim tek ne, shkruan KultPlus.

Ditën e martesës, vajzat e projektojnë në detaje, shijet janë të ndryshme e veçantia nuk duhet të mungojë asnjëherë në ditën e tyre më të veçantë.
Disenjatorja Yllka Brada duke dashur të sjell një nuse plot elegancë, thjeshtësi dhe me elemente ekstravagante në vete, po shpalos këto ditë koleksionin e saj më të ri i cili ishte i munguar deri më tani në Kosovë.
Në një intervistë për KultPlus, Brada ka treguar që ky koleksion vjen si bashkëdyzim i ideve të saj me ato të shoqërisë.

“Kosovës i ka munguar një linjë e tillë e sidomos një nuse e tillë. Unë personalisht do t’i vishja me kënaqësi të gjitha këto veshje. Fillimisht e kam bërë një hulumtim duke i pyetur shoqet se çka do të donin të vishnin në ditën e tyre më të veçantë? Idetë që mi kanë dërguar, kanë qenë shumë në përputhje me idetë dhe skicat e mia, kështu kam vazhduar punën për të sjell këto veshje.”

Kryesisht, koleksionet e fustaneve të bardhë janë më ekstravagantë dhe të ngarkuar, por Yllka pikërisht këtë e ka thyer përmes këtij koleksioni.

“Unë jam e tillë. E dua elegancën dhe thjeshtësinë, por gjithmonë kam dëshirë të prek pak me ndonjë detaj më ekstravagant diku në veshje. Andaj ky koleksion është ajo që unë e dua dhe e punoj më dëshirë.”

Duke qenë një qasje ndryshe, ky koleksion ka hasur në pëlqime të shumta, nuset moderne nuk po mungojnë.

“Fotot e koleksionit jam duke i prezantuar gradualisht. Ende nuk është prezantuar i tërë koleksioni, por deri këtu kam marrë shumë pëlqime dhe lëvdata prej shtresës së klientëve që edhe e pëlqejnë këtë stil.”

Këtë koleksion e veçon diferenca, thjeshtësia dhe prerjet e veçanta.

“Unë mendoj që vendit tim i është dashur një “nuse” e tillë. Ka shumë vajza moderne të cilat dëshirojnë ta vejnë kurorë me një palë pantallona të gjerë ose korsetë me pendla, apo edhe ndonjë fustan jo të gjatë, ka të tilla që dëshirojnë të martohen në bregdete dhe unë kam krijuar edhe vello plazhi.”
Bashkë me koleksionin, Brada na sjell edhe një mesazh për të gjitha vajzat që pritet të bëhen nuse.

“Koleksion e kam sjell në këtë kohë jo krejt rastësisht. Mendoj se është adekuat për dasma private dhe intime…, ku një çift mund të realizojë foto më artistike, një drekë apo aheng familjarë e ku nusja edhe me thjeshtësi mund të shkëlqejë.”

Koleksioni përmban gjithsej 10 veshje dhe tashmë gjendet në atelienë e Yllkës.

“Të interesuarit mund të caktojnë termin e të vijë t’i shohin nga afër fustanet dhe unë do të merrem me secilin klient veç e veç, do t’i studioj ata dhe eventin që do ta mbajnë si dhe ridizajnojmë dhe krijojmë diçka enkas për ta”, thotë Brada.

Përmes fotosesioneve, Brada do të vazhdojë të sjell edhe më tutje veshje të reja për të dyja gjinitë. / KultPlus.com

Të ngjajshme