8 Nëntor, 2019 - 9:00 pm
Xhemile Hysenaj
Me rastin e shënimit të 10-të vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Japonisë dhe Kosovës, në Prishtinë po vazhdon të mbahet Java e Kulturës Japoneze në Kosovë, e cila pritet të përfundoj më 10 nëntor, shkruan KultPlus.
Sot, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, u shpalos nisma e aktivistit japonez Yuichiro Morishita, i cili përmes ekspozitës e dokumentarit të shkurtë, të cilin e paraqiti në muret e Muzeut Kombëtar, tentonte të tregonte tmerrin e përjetuar në Hiroshima dhe Nagasaki, qytetet e vetme në botë që kanë qenë viktimë e shpërthimeve të bombës atomike.
Ai sapo kishte përfundur turneun e tij rreth Afrikës, duke mbledhur kështu të rinjë, që i shtynte të bërtisnin fjalën ”Paqe” në gjuhën japoneze dhe atë vendase.
Paqen ai e konsideronte si gjënë më të rëndësishme e thelbësore në jetë, duke qenë shumë i prekur më ndodhinë e dy qyteteve të Japonisë dhe duke ndarë dhimbjen me viktimat e këtyre dy qyteteve.
Morishita me nismën e tij, poashtu tentote të bëntë thirrje për paqen dhe të nxiste vetëdijësimin nëpër botë për sa i përket paqes.
”Unë dikur kam ëndërruar të jem basketbollist por e kam parë se vendi im është në koordinim dhe organizim, aty ku duhet të bëjë paqe”, shprehej ai.
Yuichiro Morishita, vari në muret e Muzeut Kombëtar fotografi të Hiroshimës e Nagasakit, në të cilat shiheshin qytetet e njerëzit pas sulmit të bombës atomike. Bashkangjitur kishin edhe mbishkrimet që tregonin historinë e secilës foto.
Ai synonte të tregonte gjallërinë e rinisë dhe solidaritetit në të gjithë botën, dhe t’i tërheqë këto pamje në Japoni e në botë për vëmendjen e mediave.
Në dokumentarin e shfaqur, Morishita shpaloste udhëtimin e tij nëpër Afrikë, bisedat e tij me viktimat e dy qyteteve japoneze dhe përvojat e tij gjatë këtij rrugëtimi.
Kento Hara, i cili ishte përfaqësues i Ambasadës Japoneze në Kosovë, për KultPlus tregoi të jetë shumë i kënaqur me mikëpritjen e shqiptarëve të Kosovës, duke thënë se një mikëpritje kaq të madhe e kanë edhe populli japonez. ”Edhe pse në Kosovë dëmi i luftës ka qenë më i vogël në krahasim me atë të Hiroshimës e Nagasakit, prapë se prapë dhimbjet e vuajtjet kanë qenë pak a shumë të njejta, andaj është e rëndësishme që dëmi i shkaktuar në këto dy qytete japoneze të mos harrohet nga historia e botës”, potencoi ai për KultPlus.
Morishita për KultPlus, u shpreh shkurt dhe qartë se si e sheh ai Paqen. ”Paqja është e thjeshtë, do të thotë të mos jesh në luftë”, potencoi ai.
Alisa Gojani Berishaj, kuratorja e Muzeut Kombëtar të Kosovës, tregoi të jetë shumë e kënaqur me gjithë organizimin e javes japoneze në Kosovë. ”Ne dëshirojmë të vazhdojmë me shpërndarjen e mesazhit për paqe, sepse mendoj që roli i Muzeut, përvec prezentimit të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kosovës, është edhe roli i edukimit të fëmijëve të këtij vendit, drejt një të ardhmeje me të ndritur e më paqësore”, deklaroi ajo për KultPlus.
Java e Kulturës Japoneze pritet të përfundoj me datën 10 nëntor të këtij viti, duke qenë kështu një javë shumë e rëndëishme edhe për kulturën e vendit tonë. / KultPlus.com