Zake Prelvukaj: Kam hequr shumë keq prej grave, përmes politikës janë munduar të ma fshijnë emrin

29 Janar, 2019 - 1:55 pm

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të ekspozitës “Perceptimet: Burrneshat” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, artistja Zake Prelvukaj ka shpalosur rrugëtimin e saj si artiste. Ajo gjithashtu ka diskutuar edhe për veprën e saj “Ofshama”. Vepra e artistes Prelvukaj së bashku me shumë vepra të artistëve të njohura britanike dhe kosovare po ekspozohen në kuadër të ekspozitës “Burrneshat”, shkruan KultPlus.

Babai i artistes Zake Prelvukaj, në kohën kur artistja ishte akoma fëmijë kishte një aparat përmes të cilit fotografonte momente të ndryshme familjare. Një fotografi e realizuar nga ajo,  poashtu ka dokumentuar pasionin që artistja ka pasur për artin që në fëmijëri. Prelvukaj në këtë fotografi shihet e përkulur derisa në tokë ka vizatuar një shtëpi. Pikërisht me këtë kujtim ajo fillon edhe rrugëtimin e saj për të pranishmit në Galeri, të interesuar për të dëgjuar tregimin e artistes. Sipas saj, kjo fotografi dhe pikërisht ai aparat i kanë ndihmuar për të kuptuar pasionin e saj por edhe rëndësinë që ka dokumentimi i gjërave.

“Baba më ka dashtë shumë,  po nuk me ka thonë që me u marr me art se thojke nuk ka fitim, mbetesh moler. Gjithmonë me ka thonë le të mbetet piktura për ty si hobi”, tregoi artistja. Ndikuar nga kjo,  artistja fillon studimet në juridik, të cilat më vonë edhe i braktisi, pasi që arti mbeti edhe gjatë asaj kohe pjesë e saj.

“Hyra në Akademi të Arteve dhe pata fatin me qenë te një pedagog i jashtëzakonshëm, Nysret Salihamixhiq. Ishin kohë shumë të vështira,  ku shumë kush ka pasur probleme financiare. Për me fitu pare për me i ble ngjyrat, shpeshherë ju qepsha pallto njerëzve. Në Akademi shkoj shumë mirë,  e merrsha një kasetofon të vogël dhe punojsha deri në 1 apo 2 të natës. Kam pas fat që banesen e kisha shumë afër fakultetit, prandaj qëndroja deri vonë”, theksoi artistja.

Pas kësaj Prelvukaj arriti që të punësohet, mirëpo puna si mësimdhënëse në kohën kur nxënësit shqiptarë helmoheshin nëpër shkolla nga pushteti serb i asaj kohe dhe situata e atëhershme në Kosovë filluan të ndikonin edhe në punën e artistes. Vijat, ngjyrat, çdo gjë në pikturat e saj vinin në pah emocionet e brendshme që kishte artistja gjatë asaj kohe,  e që fatkeqësisht ishin të përziera, të turbullta dhe aspak të qeta.

“Ato vite kanë qenë shumë të rrezikshme mirëpo prapë dilnim kafeve shumë. Pikërisht këtu edhe filloj ajo jeta ‘nëntokës’ ku edhe hapet Hani i dy Robertëve. Definitivit kohë të vështira, prandaj si kam diplomuar i kam lyp babës me dal prej banese, se edhe ngjyrat ishin të rrezikshme. Madje e kam marrë edhe makinën  e gjyshes që e ka pas edhe nana për me qepë. Prej pesë rrogave në shpi, atëherë na ka mbet veç njo, prandaj edhe unë punojsha kartëvizita, reklama e qepsha që me e mbajt veten”, tregoi ajo.

Sipas saj gjatë kësaj kohë femrat janë detyruar që të bëhen burrnesha pasi që u është dashur të punojnë, të rezistojnë, të krijojnë, të gjitha së bashku.

“Fillimisht se kemi ditë a kemi me ekzistu deri nesër, pastaj si me e bo kafshatën e gojës, sepse si profesor atëherë në Fakultetin e Arteve nuk na paguanin, dhe e treta ishte si me ekzistu si krijues”, theksoi ajo. Mirëpo, sipas saj është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë të guximshëm, të qëndrojnë përkrah të vërtetës dhe të kenë vetëbesim. Pikërisht këto dy virtyte artistja Prelvukaj beson se janë me të rëndësishmet dhe i nxitë që të mbizotërojnë edhe të studentët e saj.

Duke biseduar për gratë në Kosovë ajo theksoi se tani ato janë të njohura,  sidomos në kulturë, me regji, me muzikë, e me art. Mirëpo,  sipas saj i vjen keq që shpesh herë gratë janë ato të cilat mundohen që të shtypin një grua tjetër, diçka të cilën e ka provuar edhe ajo.

“Më vjen keq që ka gra që shpesh herë ia fshinë një gruas tjetër emrin. Kam heq shumë keq prej grave, e sidomos pas luftës, të cilat kanë dashur që nga fundi të arrijnë në kulm. Ato ishin në gjendje që jo vetëm mua, por secilës grua, përmes politikës t’ia fshijnë emrin. Mirëpo politika shkon dhe vjen çka mbetet janë faktet dhe krijimtaria. Edhe pse politika edhe tani na ka shkatërruar edhe në Fakultetin e Arteve dhe gjithkund, ajo do të tjetërsohet. Gjeneratat e reja, e që janë qytetarë jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë botës kanë me përparu”, u shpreh ajo. Sipas saj,  është shumë e rëndësishme që gratë të përkrahin njëra-tjetrën pasi që vlera e artit do të rritet,  e sidomos kur muzetë më të mëdha të interesohen edhe për artin në Ballkan, në mënyrë që të mbulojnë edhe atë zbrastësi.

Si fëmijë që merrte pjesë në gara të shkollës, pikturonte me shkumësa në rrugë e madje talentin e saj e përdorte edhe kur qepte, një zanati të cilit ia pa hajrin dhe i ndihmoi për të fituar para shumë herë. Arti për Zaken nuk mbetet më vetëm diçka e bukur, mirëpo edhe një formë për të protestuar dhe për të shfaqur problemet shoqërore.

Diskutimi i radhës në Galeri do të jetë me artisten Arbana Hajredinaj duke filluar nga ora 10:30./ Ekspozita “Perceptime: Burrneshat” si dhe diskutimet që po zhvillohen janë rezultat i bashkëpunimit në mes të British Council dhe Galerisë./ KultPlus.com

Të ngjajshme