11 Maj, 2021 - 3:34 pm
Era Berisha
Ekspozita ‘’Rregullat e Reja’’ nga Zake Prelvukaj vjen me një performancë, 7 piktura masive rreth 2 metra të larta dhe të gjera që janë punuar në vitin 2021 me një kolorit i cili përsëritet qysh nga vitet e 90-ta, 9 fotografi dhe 4 video arte me ç’rast lajmëron ndryshimin e ndjeshmërisë sonë ndaj ngjarjeve të papritura, ekspozitë kjo e cila këtë muaj do të prezantohet në Galerinë Nacionale në Shkup në objektin ‘Çifte hamam’, shkruan KultPlus.
Koncepti i ekspozitës ngërthen në vete kohën në të cilën njerëzit janë duke jetuar dhe ballafaquar me ngjarje apo përditshmëri të papritura. Në këtë shekull është menduar që njerëzit kanë ecur me disa hapa jo të lehtë duke e jetuar transformimin e shtetit tonë. Prandaj, në këtë tranzicion ka pasur edhe disa pika të mira sepse edhe kjo kohë ka një gjatësi, Zake si artiste absorbon informacione, ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa të.
Se si erdhi ideja për të krijuar një ekspozitë të tillë në bashkëpunimin me kuratoren Ana Frangovska, për KultPlus ka treguar Zake Prelvukaj.
“Në vitin 2020 jam ftuar nga kuratorja Ana në programin e Shkupit të Galerisë ‘Çifte hamam’, që është një galeri prestigjioze në Maqedoninë e Veriut, por ekspozita e menduar për 11 maj është shtyrë për shkak të rrethanave pandemike”, thotë Prelvukaj.
Sipas saj, në vitin 2007 në një ekspozitë me mediume të ndryshme artistike në ‘’Malla Stanica’’, kuratorja e ka parë artisten dhe e ka ftuar atë duke e ditur që deri në këtë kohë është punuar një art ndryshe, që i përshtatet kohës dhe aktualitetit dhe kështu kuratorja ka pasur dëshirë që Prelvukaj të prezantohet me punën e saj të fundit në një vazhdimësi të punëve të tjera të vitit 2010 por kryesisht punime të vitit 2021 që përputhen me konceptin.
Gjithashtu, Prelvukaj ka dashur që këtë ekspozitë ta përfundojë në muajin maj prandaj edhe ekspozita do të ketë hapjen e saj më 25 maj. Ndërsa, ekspozita e saj kësaj radhe do të vijë në disa ngjyra më transparente, me motive të ndryshme ku nuk janë përdorur më elementet teknologjike.
“Është bërë kjo vazhdimësi e çdo mediumi, por baza kryesore që do të jetë në hyrjen e Galerisë do të jetë njëfarë performance që e bëj unë me pasqyra dhe një monolog me vetveten në njëfarë rrethi dhe pastaj brenda janë dy fotografitë e mija që asnjëherë nuk janë parë. Do të vi me një performim të gishtave, më ndryshe se e zakonshmja”, tregon Prelvukaj për KultPlus.
Ajo tutje ka bërë të ditur se kuratoja veçse e ka bërë renditjen e këtyre punimeve sipas konceptit dhe hapësirës që është lejuar për të realizuar konceptin dhe mesazhin që përcjell ekspozita.
“Sipas mendimit tim, çdo gjë çka ne parashohim, e parashohim si diçka të panjohur. Unë nuk e parashoh të ardhmen, por parashoh diçka, që ne si gjenerata e pas luftës, kemi me qenë të përqendruar në monitor duke e humbur kështu prekshmërinë, ndjeshmërinë dhe atë se çka jemi si qenie njerëzore”, tregon ajo.
Për Zaken, ky përjetim do të jetë shumë më shumë optik përmes virtuales dhe ajo e ka parë se është drejtuar aty ku do të jetë një botë ndryshe, qoftë me dëshirën apo pa dëshirën e secilit. Prandaj, as nuk mund të thuhet se është diçka e mirë apo e keqe sepse nuk është e njohur por që duhet të pranohet sepse nuk është duke u luftuar me kohën sepse koha na mund secilin, por këto janë vetëm paralajmërime që artisja i sjell si një individ dhe qytetare për shpjegimin e rregullave të çrregullta, për njerëzit, por ndoshta edhe të rregullta për gjeneratat e reja që po vijnë duke u bazuar në ndjenjën e saj që diçka po ndryshon.
“Edhe pse koha ka qenë e tmerrshme, është diçka interesante sepse unë në këtë vit jam vetvetja dhe mjaft e disponuar sepse e kam kuptuar dhe po e kuptoj çdo ditë se jeta nuk duhet të jetohet duke u marrë me gjëra të cilat na bëjnë nervoz, me njerëz që nuk kanë disponim të mirë. Këtë e kam parë edhe në ngjyrat që po i përdori, të cilat janë shumë më transparente, më të mira dhe më të disponueshme edhe për mua si autore por edhe për shikuesit dhe artdashësit që do ti shohin punimet”, rrëfen ajo.
Po ashtu, artisja është shprehur se ajo jetën po e dashuron shumë më shumë tani sepse e ka parë që rëniet njerëzore të popullatës asnjëherë nuk janë paralajmëruara. Prandaj, ajo çdo minutë dhe çdo mot të kthjellët e shfrytëzon qoftë edhe duke dalur deri në ballkon sepse sipas saj çdo gjë duhet të përjetohet në mënyrën më të mirë në mundësitë që ofrohen.
Punimet e kaluara të artistes janë cilësuar se ato vazhdimisht po flasin njëjtë ku edhe në këtë kohë që janë rikthyer, ato ende po flasin, me ç’rast Prelvukaj është shprehur se po ndjehet mjaft e lumtur për ciklin e ri që po fillon sepse është një vazhdimësi e viteve 96/97-ta të cilat kanë qenë një lojë me instrumente.
“Këtë lojë e kam përpunuar më ndryshe duke përfshirë rregulla, motive dhe objekte shumë më ndryshe që lidhen me diçka të pa parashikuar dhe mund të them që për mua janë pikërisht këto vepra të vitit 2021, vepra të mira për kohen që i kam punuar”, ka potencuar ajo.
Teksa ajo flet për vështirësitë e hasura ajo ka treguar se vështirësia e vetme që ajo parasheh është vetëm transporti sepse punimet janë masive dhe organizimi nuk është i lehtë. Kurse, për të ardhmen ajo shpreson se njerëzimi të mos sundohet më nga njerëz të ‘veçantë’ por që secili të ketë një barazi që kontribuon në ndërtimin e shtetit.
“Nëse e hulumtoj vetveten se pse jam kaq e disponuar, e gjej veten duke menduar që më është hapur një dritare e re sepse nuk e di çfarë është por po shoh diçka të mirë. Në tërë këtë tmerr më është hapur njëfarë porti që po shoh vetëm pozitivitet. Ashtu po ndjehem mirë por nuk e di pse”, thotë Prelvukaj.
Në këtë intervistë për KultPlus ajo ka bërë të ditur se punimet në këtë ekspozitë janë historia e saj dhe e botës në një periudhë kohore të tillë. Po ashtu, ajo këtë ekspozitë e ka cilësuar si një paralajmërim i idesë që njerëzit janë ata që nuk çuditen më. Kurse, ajo se çka pëlqehet nga artistja është se njerëzit e kanë kuptuar që të gjithë në këtë botë, sido qofshin ata, ata janë njerëz të njëjtë.
Kështu, krejt në fund ajo ka shpalosur edhe synimet e saj për të ardhmen të cilën ajo e sheh si një mundësi për të krijuar edhe më shumë duke u shprehur se ky virus i ka shtyrë njerëzit të mendojnë më thellë.
“Dëshira ime në të ardhmen është kontributi që pikturat e krijuesve kosovar dhe ndërkombëtarë ta gjejnë një shtëpi të përjetshme për të cilën Kosova ka nevojë si një aspekt i politikës kulturore”, përfundon Prelvukaj. / KultPlus.com