16 Shkurt, 2019 - 11:11 am
Arbër Selmani
Ka vite që merret me art dhe ka ditur të provokojë në kohëra kur ka qenë vështirë të dalësh jashtë kutisë. Në forma të ndryshme, ajo ka qenë gjithmonë artiste por edhe aktiviste, ka ndihmuar me artin e saj thumbimin e mentalitetit. Ajo ka sfiduar edhe veten, edhe familjen e saj, por nuk është dorëzuar asnjëherë.
Zake Prelvukaj, pos artit dhe ekspozitave të cilat i ka hapur gjithandej nëpër botë, ka ndihmuar shumë në ligjërimin mbi artin, tek fëmijët. Ajo qysh e vogël ka nisur me qepje, ka qepur vello, ka qepur edhe për të fituar. Këpucat e mprehta të nënës së saj ajo i ktheu në sandale, se nuk i pëlqenin në formën origjinale. Rrugët e Prishtinës i ka mbushur me vizatime me shkumës, ndërsa në vende të ndryshme në Kosovë ka ligjëruar mbi mënyrën e të menduarit me art.
Zake Prelvukaj ka qenë mysafirja e radhës në mbrëmjen ‘KultWoman me…’ organizuar nga KultPlus, për të nderuar gratë të cilat kulturës dhe artit i dhanë shumë ndër vite.
Në rreth 60 minuta bisedë, Alberina Haxhijaj nga KultPlus dhe Zake Prelvukaj kuvenduan për karrierën e kësaj të dytës, për jetën e saj, artin, jetën, inspirimin, dhe zërin artistik që duket se atë nuk e lë asnjëherë të qetë.
‘Unë asnjëherë nuk pajtohem me gratë që thonë se me vite nuk kam mundur të punoj shkaku i familjes. Po ju tregoj, për katër vite i kam rritë fëmijët e motrës sime, vetë kam pasë probleme dhe disa dështime me shtatzanitë e mia, por gjithmonë kam pasur forcën. Kur të vjen zani i artit, sikur zani i Krishtit apo Muhamedit, është i shenjtë dhe mua nuk më ka lënë asnjëherë të qetë. Unë gjithmonë kam kriju, veq nëse nuk kam mujt me lëvizë fare” ka treguar gjatë mbrëmjes mes tjerash Zake Prelvukaj.
Audienca e pati Zaken përpara saj, një artiste e cila jo rrallë ka ditur të jetë qendra e vëmendjes së artit në Kosovë, me goditjet e saj në qarqe të ndryshme të jetës.
Ajo e ka nisur tregimin e saj me fëmijërinë, me kohën kur ishte e re dhe kur vendosi të qepte, e më pas të futej në pikturë, në Akademi të Arteve, dhe më pas të bëhej edhe profesoreshë. E refuzoi rolin e Ministres së Kulturës, sepse nuk e linin që ajo ti përzgjidhte vetë këshillëtarët e saj. E refuzoi edhe rolin e drejtueses së Galerisë së Arteve, sepse liria e saj frymonte ndryshe. Zakja thjeshtë frymonte më afër me artin, se me postet artistike.
Në ‘KultWoman me…’ ajo nuk harroi ta përmendte edhe Hanin e 2 Robertëve, hapësirën në kryeqytet ku u rritën e morrën formë disa prej artistëve të njohur të gjeneratave të ndryshme në Kosovë.
“Hapësira e artit Hani i 2 Robertëve ka luajtë rol të madh tek artet figurative, por edhe tek fushat tjera, sepse kur kemi shku aty na kanë trajtu sikur të ishim fëmijët e tyre. Por unë nuk u ndala me pak. Në vitet 1996, 1997 shkoja në Tivar dhe krijoja murale, e në këtë kohë për ekzistencë shitej më pas edhe piktura, sepse kisha familje të gjithë mbetëm pa rroga. Për femrat e dhunuara kemi reaguar si artistë qysh në vitin 1997, sepse sipas mendimit tim, arti është dokumenti më i fortë, më shumë flet arti e fotografia sesa një shkrim që mund të zgjerohet. Arti është pasqyrë e fortë e terrenit ku jeton” tregoi Prelvukaj.
Ajo është përjetësisht e lidhur me ndjenjën e artit. Tregimi i saj nuk është vijë e drejtë, dhe ajo e kupton shpesh që del jashtë temës, e kthehet në temë, dhe del prapë jashtë por gjithmonë futet brenda duke e përdorur artin dhe lidhjen e jetës së saj me fushën artistike, shprehjen artistike në forma e trajta të ndryshme.
Para 21 vitesh ajo doli për herë të parë me trupin e saj brushë. Nuk munguan fjalët e njerëzve, por ajo guxoi sepse siç tregon, ky ishte inspirimi i saj i kohës. Vjen koha kur nuk të pëlqen brusha dhe më pas dëshiron të punosh në një formë tjetër, tregon Zakja. Ajo kësisoj ka punuar gjithmonë, duke e ndjekur elementin e inspirimit të saj, pa dëgjuar çka thonë të tjerët rreth saj.
“Jam e lumtur që kam pasur një aparat, nëj Toshiba që ma ka ble baba, një aparat me të cilin jam zhvillu gjithandej. Kam fotografu çdokund, prej Akademisë së Arteve, portrete, kam fotografu protesta, ekspozita, me Ibrahim Kodrën i kam dy filma të aparatit, me Muslim Mulliqin e me Xhevdet Xhafën. Këto fotografi sot nuk janë ekspozuar por e di se një ditë do t’i ekspozoj ato, duke nisur prej portreteve, të gjitha fotografive në Hanin e 2 Robertëve, dhe të gjitha fotografitë e ngjarjeve që kanë një lidhshmëri me krijimin e situatës ekonomike, politike e sociale në atë kohë” tregon tutje Zake Prelvukaj.
Ajo e përsëriti trupin e saj brushë, në një herë të dytë me trupin e saj të lyer me zift. Dhe zifti do ti dhimbte shumë në trup, por ajo e dëshironte këtë dhimbje, duke u solidarizuar me gratë e dhunuara shqiptare dhe me dhimbjen e gruas, për çfarëdo arsye. Ajo thotë se procesin e trupit brushë do ta përsërisë çdo 4-5 vite, në forma të ndryshme artistike.
Tregimi i saj për ‘KultWoman me..’ është i gjatë, i bukur dhe i mishëruar ashtu siç di vetëm Zakja.
‘KultWoman me…’ organizohet nga KultPlus dhe është projekt në kuadër të Kultura për Ndryshim – financuar nga EU dhe implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institute.