2 Maj, 2021 - 10:58 am
Ikona “Zbritja në ferr” është një ikonë mjaft interesante e pikturuar nga mjeshtri i ikonografisë Onufri, e cila u pikturua për të zbukuruar ikonostasin e kishës së Ungjillëzimit në Berat.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar bën të ditur se ikona paraqet momentin e kalimit nga errësira në dritë. Figura brilante e Krishtit të veshur në ar shoqërohet nga pas prej korit të engjëjve të cilët janë pikturuar brenda një rrethi.
Grupet e figurave rrethohen nga shkëmbij lart dhe poshtë. Shpëtimtari ngre Evën e veshur në të kuqe dhe Adamin, tip ikonografik ky mjaft familiar që nga shek XIV.
Këta të dy shoqërohen nga grupe profetësh dhe shenjtorësh. Poshtë këmbëve të Krishtit shihen portat e Ferrit, të cilat ai i ka thyer dhe Satani të cilin ai e ka mposhtur.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.
Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë./atsh/ KultPlus.com