Zbulohet tabloja e të dashurit të Da Vinçit

3 Nëntor, 2020 - 10:41 pm

     

Një tablo e Salait, bashkëpunëtori më i afërt i Leonardo da Vinçit, u zbulua së fundi. “Madalena e penduar”, vepra pritet të dalë në ankand, më 18 nëntor, nga shtëpia “Artcurial”.

”Kishim dijeni vetëm për katër apo pesë tablo, të vërtetuara se ishin nga dora e Salait, si “Krishti shëlbyes”, e ruajtur në Muzeun Ambrozian të Milanos, të tjerat ishin në duart e privatëve” – theksohet nga “Artcurial”.

Gian Giacomo Caprotti, i ashtuquajtur Salai (1480-1524), ka qenë miku më i afërt i Leonardo Da Vinçit, nxënësi i tij, modeli, arkëtari, agjenti dhe i dashuri. Mjeshtri i Rilindjes do t’i jepte pseudonimin “Salai” – sinonim i “djallit të vogël” – për shkak të gënjeshtrave të tij të pakuptimta dhe vjedhjeve të vogla.

“Kjo tablo, del vërtet nga errësira… Pronari i saj, i cili, e bleu për një shumë modeste, na e besoi për shitje. Ajo erdhi te ne, pa atribut. Ishte Cristina Geddo (eksperte e njohur për periudhën e shekullit të XV), që duke ardhur nga Milano, na zbuloi se ishte nga Salai”- theksoi eksperti i veprave të hershme, Eric Turquin.

Me përmasa 65 centimetra dhe 50 centimetra, tabloja është në gjendje të mirë, por duhet të pastrohet, pasi llaku që e mbulon atë është pjesërisht i ndotur dhe i oksiduar.

Marie-Madeleine përfaqësohet atje në një sfond të zi, sytë e saj të ngritur në ekstazë dhe krahët e kryqëzuara. Trupi i zhveshur dhe i hollë është pjesërisht i mbuluar nga flokë të bollshëm në kafe të artë, një karakteristikë e gjetur në “Krishtin” e Milanos.

Karakteri është i paqartë, midis të shenjtës dhe profanit. Buzët janë të plota dhe sensuale.

“Gjetëm gjurmët e gishtërinjve. Piktori ka shtypur gishtin e madh mbi bojën e freskët, që është karakteristikë e teknikës së Leonardo Da Vinçit dhe Salait” – shpjegoi, Eric Turquin.

“Puna tregon një njohuri të përsosur të sfumatos leonardeske. Një tjetër karakteristikë, është një vijë e bardhë që shënon qepallën e poshtme, duke dhënë një lloj fortësie që nënvizon syrin” – thekson eksperti.

“Për më shumë se 25 vite pranë Leonardos, Salai ka mundur të asimilojë teknikën fine të mjeshtrit, duke u pozicionuar si një prej promovuesve më me ndikim të modeleve të Leonardos, përmes prodhimit të kopjeve dhe variacioneve të kryeveprave të Leonardit” – shton Eric Turquin.

Tabloja është vlerësuar mes 100 000 dhe 150 000 euro./ KultPlus.com

Të ngjajshme